Kurti: Kosova ta organizojë mbrojtjen ndaj të akuzuarve në Hagë

Kurti: Kosova ta organizojë mbrojtjen ndaj të akuzuarve në Hagë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur mbi arrestimin e Hashim Thaçit, Kasri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Hagës.

Kurti ka thënë se Kosova qysh më herët ka pasur gjykata të tilla, duke filluar, thotë ai, nga UNMIK-u, EULEX-i e “prokuroria dhe gjykatat në Kosovë që mjaft shumë kanë qenë speciale me pasivitetin e tyre”.

Megjithatë, shton Kurti, me Gjykatën Speciale në Hagë jemi duke e paguar jo çmimin e lirisë por të gabimeve politike.

“Gjykata Speciale është e padrejtë dhe e paanshme me UÇK-në si palë ndërluftuese dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi. Ngrehina e kësaj gjykate shkon kundër kujtesës sonë individuale e kolektive, njerëzore e politike”, tha ai, raporton Koha.

Kurti ka thënë se pretendimet e Speciales se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk është aspak i vërtetë.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte shtabin e përgjithshëm dhe zyrat përkatëse. Ky lajmi më i ri në Kosovë për njëfarë npk brenda UÇK nuk është i vërtetë”, tha ai.

Sipas Kurtit, arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.

“Sipas gjykatës qëllimi i kësaj ndërmarrje na paska qenë të fitoj dhe ushtroj kontroll gjithandej në Kosovë. Madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur qëllim kontrollin në mars 2008 apo 2018, edhe mund të besohej por kurrsesi në 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi e jo ushtrimi i kontrollit”, tha Kurti në konferencë për media.

Ai ka kërkuar që qeveria të angazhohet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.

“Në Hagë nuk po përndjeken vetëm individët por nuk mund të mbrohen as të pandehurit si individë. Shteti duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve. E pamë se ata i kanë avokatët e tyre por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është sidomos punë qeverie”, tha ai.

“Për fat të keq, Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme që varej nga fillimi nga lista serbe e që tash është e pakicës, nuk mund ta mbrojë e të shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0