Kurti i kërkon mobilizim LDK-së për zgjedhje, vjen përgjigja e partisë së Mustafës

Kurti i kërkon mobilizim LDK-së për zgjedhje, vjen përgjigja e partisë së Mustafës

Kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, ai i LDK-së Isa Mustafa dhe i VV-së Albin Kurti tash e një kohë po përmendin rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Për ta shpërbërë qeverinë, Albin Kurti po kërkon që LDK t’i intensifikojë veprimet që çojnë vendin në zgjedhje të reja

Kreu i VV-së, Albin Kurti, Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po e cilëson më të dobtën që nga paslufta. Mendim të njejtë po ndan edhe partia e Isa Mustafës, madje këta të fundit po thonë se Qeveria Haradinaj i ka dëmtuar marrëdhëniet e shenjta mes Kosovës e Amerikës.

Në një bisedë për Gazetën Express, zyrtarë nga LDK-ja, i përgjigjen thirrjes së Albin Kurtit për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Këtu përmendin se Gupet Parlamentare të dy partive po bashkëpunojnë për siç e quajnë në të mirë të vendit.

“Partitë kanë qëndrimet e tyre dhe LDK vazhdimisht i ka bërë publike qëndrimet e saj. Grupet parlamentare bashkëpunojnë në vazhdimësi për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.

Si rrjedhojë, ripërsërisim qëndrimin e LDK-së që kjo Qeveri duhet të bie sa më parë sepse vazhdimi i kësaj Qeverie po e dëmton Kosovën vazhdimisht. Kjo Qeveri ka dëmtuar marrëdhëniet tona të shenjta me Amerikën dhe BE-në, ka degraduar arsimin, shëndetësinë, shërbimin civil, etj”, tha për Gazetën Express, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa.

Me tej zëdhënësi i partisë së Isa Mustafës ka numëruar një varg problemesh aktuale në vend, si grevat, mungesën e energjisë elektrike, telekomin etj. Sa i përket grevave ai thotë se Qeveria nuk do të dijë të bëjë zgjidhje. Thekson se me veprimin e ngritjes së pagave për qeveritarët i ka nxitur edhe mësimdhënësit dhe kategoritë e tjera të hyjnë në grevë.

“…Duke rezultuar në greva në të gjithë sektorët vital të shtetit, të cilat Qeveria jo që nuk po din të ju ofroj zgjidhje, por i ka nxitur vet me veprimet e saj për përfitime personale duke i ngritur pagat vetvetes 100%”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës dëmet dhe dështimet që Qeveria Haradinaj po i sjell Kosovës nuk kanë të ndalur. Përmend mosliberalizimin e vizave, mosanëtarësimin në INTERPOL, ministrat me aktakuza, plaçkitjet etj.

“Dëmet dhe dështimet e kësaj Qeverie nuk kanë të ndalur: furnizimi me energji elektrike në shumë regjione të Kosovës është në kolaps dhe kjo Qeveri nuk ka vizion për të ofruar zgjidhje afatgjatë në këtë problem themeltar për zhvillimin socio-ekonomik; Telekomi i Kosovës është në falimentim ku as vet Qeveria nuk është e sigurt për performancën e tij duke mos ditur as sa janë humbjet vjetore; nuk kanë arritur të liberalizojnë vizat; nuk na kanë anëtarësuar në Interpol; e kanë zvogëluar punësimin; i kanë zvogëluar investimet e huaja; u ka dalë veriu i vendit tërësisht nga kontrolli dhe po e bëjnë gati t’ia dorëzojnë Serbisë; çdo parti e koalicionit ka ministra me aktakuza; i kanë mashtruar qytetarët për kufirin me Malin e Zi; kanë kidnapuar e transportuar ilegalisht qytetarë të huaj, duke na bërë gazin e çudinë e diplomacisë ndërkombëtare; kanë fundosur vendin në kaos, pa rend e ligj, ku çdo dy-tri ditë kemi grabitje e plaçkitje; e shumë dëme e dështime tjera që kjo Qeveri po i sjellë Kosovës çdo ditë”, u shpreh Mustafa.

“Andaj, kjo Qeverie duhet të bie sa më pare”, përfundoi Mustafa.

Në këtë situatë Albin Kurti po kërkon nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që të intensifikohen veprimet në mënyrë që vendi sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ka theksuar se këto dy parti janë duke u koordinuar, por që duhet ende punë.

“Është vështirë të gjendet ndonjë Qeveri me më shumë skandale, korrupsion që nga pas lufta. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit aktual i cili prej emërimit të Rikalos, kontratës së dëmshme me ‘Contur Global’, pastaj prej ratifikimit të padrejtë të demarkacionit, prej faljes së buxhetit të ‘Bechetl&Enkas’”, ka deklaruar Kurti. Me këto deklarata po pajtohet edhe partia e Isa Mustafës.

Vlen të ceket se LDK dhe VV nuk janë përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, pavarësisht thirrjeve të partive në koalicion.

Nuk dihet nëse këto dy parti do të ndërmarrin hapa konkret për rrëzimin e Qeverisë./Gazeta Express

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0