Kurti i kërkon BE-së që pas vendimit të tij për ta hequr taksën, t’i liberalizohen vizat Kosovës

Kurti i kërkon BE-së që pas vendimit të tij për ta hequr taksën, t’i liberalizohen vizat Kosovës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrin vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh

“BE ta vlerësojë lart heqjen e tarifës duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën, deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve për kalimin e barrierave ekonomike.

“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhohen nga arritja e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar dhe ekonomik instalohet pas 15 qershorit”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se nga Ministria e Ekonomisë është mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjeve të CEFTA-s nga ana e Serbisë.

“Unë kam pasur një takim me zëvendëskryeministrin Hoti dhe e kam njoftuar në vija të trasha për heqjen e tarifës për lëndën e parë dhe reciprocitetin në anën tjetër”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka shtuar se me konceptin e reciprocitetit kanë garuar dhe i kanë fituar zgjedhjet.

Ai thotë se ky është princip i rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke shtuar se reciprociteti është derivat i barazisë.

Kurti ka thënë se kjo nuk është ide e re për aleatët e vendit dhe se shumicës së tyre ua ka shpalosur idenë e reciprocitetit dhe heqjen e tarifës për lëndën e parë.

Ai ka shtuar se i dëgjon kërkesat e faktorëve ndërkombëtar, por se është i thirrur që të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Unë dëgjoj me vëmendje kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, jam shumë i durueshëm e shumë bashkëpunues por në fund të fundit jam kryeministër i Kosovës, jam i thirrur që të mbroj interesat e qytetarëve të Kosovës. Besnikëria ime e pakushtëzuar është e lidhur me ata qindra mijëra votues dhe para së gjithash unë i përgjigjem atyre gjithnjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Lexojeni të plotë raportin 7 pikësh të prezantuar nga Kurti:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0