Kurti flet për pakon e padrejtë të Ahtisaarit dhe vrasjen e Mon Balajt e Arben Xheladinit

Kurti flet për pakon e padrejtë të Ahtisaarit dhe vrasjen e Mon Balajt e Arben Xheladinit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me rastin e 12 vjetorit të protestës së 10 shkurtit ka kujtuar kohën kur ishte publikuar Pakoja e Ahtisaarit dhe kishin rënë duke protestuar dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini.

Ai thotë se Pakoja e Ahtisaarit përmbante shumë padrejtësi, duke përfshirë këtu shumicën e dyfishtë në Kuvend, sundimin ndërkombëtar mbi Qeverinë, decentralizimin etnik etj.

“Më 2 shkurt 2007 u bë publike Paketa e Propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Paketë e madhe gjithsesi sepse shumë padrejtësi ishin futur brenda. Shumica e dyfishtë në Kuvend, sundimi ndërkombëtar mbi Qeverinë, shuarja e TMK-së, decentralizmi etnik, eksterritorialiteti fetar, borxhi i jashtëm i Serbisë që na përshkruhej edhe neve. Këto i patëm quajtur gjashtë faqet e padrejtësisë së paketës kubike të Ahtisaarit, në të cilën askund s’figuronte fjala ‘pavarësi’, 37 herë përmendej fjala ‘serb’ dhe vetëm një herë ajo ‘shqiptar’, kur flitej për komunitetet joshqiptare!”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se protesta e 10 shkurtit 2007 kundërshtonte këtë padrejtësi shumëfaqëshe, shprehte vullnetin e popullit për liri dhe vetëvendosje, kërkonte sovranitet e pavarësi të plotë për Kosovën.

“Mijëra qytetarë u bashkuan në bulevardin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë në marshin paqësor në ballë të të cilit ishte Baca Adem (Demaçi) e i cili edhe mbajti fjalim. Por, drejt sheshit “Skënderbeu” na doli përballë policia e UNMIK-ut me tyta të gjata të pushkëve çifte. 232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën mbi kokat dhe gjokset e njerëzve paqësorë e të paarmatosur. U vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u plagosën rëndë me pasoja për tërë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova e Hysni Hyseni, ndërkaq numri i të plagosurve që gjithsej kalonte 80, ishte pesëfish më i lartë sesa i atyre të arrestuar. Policët kishin ardhur për të qëlluar mbi neve, jo për të ruajtur ligjin e tyre”, ka shkruar kreu i Vetëvendosjes.

Tutje Kurti shton se, “pas protestës së 10 shkurtit 2007, ndërmjetësi finlandez Ahtisaari ia dërgon Raportin e tij për Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Mirëpo, ia shton një faqe në fillim Propozimit të tij ku e përmend e thotë ‘pavarësi’ për Kosovën në kuadër të togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’. Në po atë vit OKB-ja ndalon përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj nëpër botë, kurse një vit më vonë shpallet pavarësia e Kosovës”.

Ai thotë se drejtësia ende mungon për Bon Balajn e Arben Xheladinin, por lavdia e tyre është e përjetshme.

“Sikurse për Kosovën dhe humbjet e vuajtjet e saj të shumta, drejtësia ende mungon edhe për Monin e Arbenin dhe familjet e tyre. Kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme”, ka thënë Kurti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0