Kurti emëron zëdhënësin e Qeverisë

Kurti emëron zëdhënësin e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë.

Detyrën e komunikimit me media, Kurti ia ka besuar ish-anëtarit të shoqërisë civile, i cili kishte pozitë të njëjtë edhe në Qeverinë Kurti 1 si dhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryeministrit:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë.

Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe të Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile, të financuar nga Komisioni  Evropian i BE-së.

Studimet bachelor në Sociologji Kryeziu i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vitin e fundit të të cilave e ka ndjekur në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si përfitues i bursës JoinEU-SEE, të financuar gjithashtu nga Komisioni Evropian. 

Ai ka qenë edhe bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për afër tre vjet ka qenë aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar si asistent hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.  

Kryeziu ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti I, dhe vitin e fundit ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0