Kur ata që kanë detyrë të mbrojnë shndërrohen në vrasës e dhunues

Kur ata që kanë detyrë të mbrojnë shndërrohen në vrasës e dhunues

Rastet e krimeve brenda Policisë së Kosovës nuk kanë të ndalur. Vrasje, dhunime e plagosje janë vetëm disa prej incidenteve në të cilat janë përfshirë pjesëtarët e Policisë gjatë këtyre viteve. Rasti i fundit është ai vrasjes në kazino, ku mbeti i vdekur Jetmir Aliaj. Për vrasjen e 32 vjeçarit, i dyshuar është një rreshter policor, që tashmë është arrestuar. Ndërkohë, në IPK thonë se vetëm gjatë vitit të kaluar janë hetuar 194 punonjës të PK-së për vepra të ndryshme penale, 12 prej të cilëve janë arrestuar.

Ishte nisur për në punë sikurse bënte thuajse çdo natë tjetër, por të shtunën nuk arriti që të përfundonte orarin e punës. Jetmir Aliaj nga Mushtishti i Suharekës gjeti vdekjen në një kazino në Suharekë, gjatë orarit të punës.

32 vjeçari mbeti i vrarë nga plumbi që u shkrepë në drejtim të tij gjatë një tentim plaçkitje nga një grup personash në kazinon ku po punonte. Në mesin e këtyre plaçiktësve, dyshohet të ketë qenë edhe një rreshter i policisë.

Madje, rreshteri Shefki Spahiu po dyshohet se ishte pikërisht ai që i zbrazi plumbat në trupin e Jetmirit, duke e lënë edhe të vdekur.

Gazeta Express merr vesh nga burime të saja brenda Prokurorisë, se viktima ishte qëlluar për vdekje nga i dyshuari vetëm pasi kishte arritur ta identifikonte atë, derisa me tre persona tjerë po kryente plaçkitjen brenda kazinosë.

E se një zyrtar policor është i dyshuar për vrasjen në Suharekë, e ka bërë të ditur vetë Policia e Kosovës, të dielën përmes një konferencë.

“Në bazë të provave materiale, viktima është J. A. nga fshati Mushtisht. Kemi ardhë në përfundim se i dyshuari i vetëm është një zyrtar policor, rreshter në veri të Prizrenit me iniciale SH.S. Policia ka bërë kontrollin në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar”, u tha nga Policia, gjatë konferencës që u mbajt në Prishtinë.

Spahiu është arrestuar po atë ditë nga Policia e Kosovës, derisa sot Gjykata i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Por, ky nuk është skandali i vetëm në të cilin janë të përfshirë zyrtarë policorë.

Vesel Veseli po vazhdon të mbahet në paraburgim, nën dyshimin se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur nga Drenasi, derisa ajo kishte kërkuar ndihmë prej tij.

Gjithçka kishte nisur kur 16 vjeçarja kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për marrëdhënie seksuale.

Prej asaj dite kishte nisur historia e dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual të kësaj nxënëseje nga hetuesi policor.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të, Veseli po dyshohet se kishte detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim.

Ndërkohë, se ka raste kur zyrtarë të policisë janë të përfshirë në raste të tilla e afera korruptive, tregojnë edhe ankesat e shumta që drejtohen për ta në Inspektoratin Policor të Kosovës.

“IPK gjatë vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1419 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar numri i ankesave ka një ngritje të lehtë (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1226 ankesa). Prej tyre 762 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK’së drejtuar mediave.

Në këtë institucion thonë se vetëm gjatë vitit 2018 si subjekt i hetimit për vepra penale kanë qenë 194 punonjës të Policisë së Kosovës.

Gjatë po këtij viti, thonë se janë arrestuar 12 zyrtarë policor dhe janë suspenduar 50 të tjerë.

“Këtë vit IPK-ja ka hetuar 36 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Express

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0