Kryetari i LDK’së: Qeveria po e shndërron Shtetin në lavatriqe të parave të pista, drogës e prostitucionit

Kryetari i LDK’së: Qeveria po e shndërron Shtetin në lavatriqe të parave të pista, drogës e prostitucionit

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka lëshuar akuzat më të rënda në drejtim të Ramush Haradinajt e Qeverisë, duke thënë se përmes lojërave të fatit po e shndërrojnë shtetin në lavatriqe të parave të pista e prostitucionit. Ka thënë se viti 2019 do të jetë koha kur do të angazhohen për të mbrojtur qytetarët nga Qeveria.
“Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit”, ka shkruar Mustafa, në Fb.

Ky reagim ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës po synon që të hartojë ligje përmes të cilave iu mundësohet funksionimi i lojërave të fatit.

Megjithëkëtë, Isa Mustafa ka thënë se do ta ndalin Ramush Haradinajn nga kjo nismë. Ka thënë se viti i ardhshëm do të jetë koha kur LDK do të angazhohet për ta mbrojtur qytetarin nga Qeveria e kumarxhinjve e ministrave me aktakuza.

“Ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë. Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza! Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie. Por, ne do të ngadhënjejmë”, ka shtuar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0