Kryetari i LDK’së e krahason Kadri Veselin me Serbinë, ankohet se po ia shajnë partinë

Kryetari i LDK’së e krahason Kadri Veselin me Serbinë, ankohet se po ia shajnë partinë

Në prag të zgjedhjeve të brendshme në LDK, Isa Mustafa ka nisur sulmet ndaj Kadri Veselit dhe PDK’së. Njëjtë kishte vepruar edhe kur e kishte marrë për herë të parë pozitën e Shefit të Partisë. Atëkohë, kishte lëshuar akuza ndaj SHIK’ut, PDK’së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit. Mirëpo, në fund ishte bërë Kryeministër me bekimin e Veselit dhe Thaçit, duke bashkëqeverisur për një mandat me ta.
Isa Mustafës i ka mbetur shumë hatri pse një zyrtar i Qeverisë së Kosovës tha se LDK është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe po urdhërohet prej Albin Kurtit.

Krejt akuzat e Dardan Gashit se LDK ka rrëshqitur në filozofinë “albiniste”, Shefi i LDK’së i ka ndërlidhur me emrin e Kadri Veselit. Ka thënë se Kryetari i PDK’së po i bën fushatë me bashkëpunëtorët e tij kundër LDK’së.

Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.

“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se pavarësisht presionit LDK nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë.

“Mashtrohet dikush nëse mendon se mund ta merr me qera LDK-në për dialog, ashtu siç kanë vepruar me të tjerët. Rugova ka drejtuar proceset më të rëndësishme të vendit, si President, por nuk ia ka dhënë LDK-në ti shërbej askujt. Vetëm Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk shtyhen proceset duke ofenduar LDK’në.

“Por fati politik është tjetër. As Serbia nuk do të përballoj pa hy në dialog dhe pa e njohur Kosovën, e as Kadriu s’ka forcë me e shty ketë proces duke e ofenduar LDK-në dhe opozitën që përfaqësojnë shumicën në Kuvend.

Isa Mustafa ka lëshuar këto akuza vetëm një vit pasi është prishur me Veselin dhe PDK’në. Lideri i LDK’së kishte arritur të bëhej Shef i Qeverisë duke sharë e fyer PDK’në e SHIK’un ndërsa në fund kishte pranuar të bashkëqeveris me të njëjtit njerëz.

Madje, Isa Mustafa në kohën sa ishte në koalicion me PDK’në e kishte bërë Hashim Thaçin President e Kadri Veselin Kryetar të Kuvendit.

Gjatë kohës sa ka qenë në Qeveri, Mustafa me Veselin kishin ndërtuar raporte bashkëpunimi duke ndarë edhe pozitat nëpër borde e institucione të pavarura.

Sidoqoftë, Mustafa ka thënë se është e çuditshme fushata e Veselit kundër LDK’së.

“Në situatën kur , edhe përkundër diferencave të mëdha të skenës politike, Kosovës i nevojiten përpjekje e brendshme për të gjetur rrugën më të mirë për ta përballuar dialogun me Serbinë, ka filluar një fushatë e ndyrë e udhëhequr nga Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së dhe e pasuar nga lakenjtë e tij kundër LDK-së. Nuk e kanë mirë, sepse nuk mund të kryejnë punë duke e provokuar LDK-në”, ka shtuar ai.

Ai ka kundërshtuar idenë e diskutimit të temave që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës. Ka thënë se me Serbinë duhet të bisedohet vetëm për njohje reciproke.

“LDK ka qenë pjesë e të gjitha proceseve shtetformuese. Por dialogu me Serbinë, nuk është shtetformues. Shtetin e kemi formuar dhe e kemi shpallur në këta kufij më 17 shkurt 2008. Dialogu është për të na njohur Serbia, jo për ta mbyllë çështjen e shtetësisë, sepse kjo çështje është e mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë ta hapë”, ka shtuar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0