Kryetari i Junikut: Nuk do t’ia paguajmë faturat KEDS-it, do të ketë edhe protesta

Kryetari i Junikut: Nuk do t’ia paguajmë faturat KEDS-it, do të ketë edhe protesta

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi ka reaguar ashpër, pas problemeve që kjo komunë po i ka me KEDS-in rreth furnizimit të rregullt me energji elektrike.

Në një prononcim për Gazetën inFokus, Kuçi e ka quajtur KEDS-in si kompaninë më të papërgjegjshme në Kosovë.

Ai tregon se brenda javës ndodhë që dy ose tri ditë të mos kenë fare rrymë.

“Furnizimi me energji elektrike është më i keqi i mundshëm, nuk ka hiç në Evropë, jo vetëm në Kosovë por në Evropë. Brenda javës dy ose tri ditë s’kemi rrymë hiç. Kemi nënshkruar marrëveshje, as nuk i kanë respektu marrëveshjet për ndërrim të rrjetit lokal, ne i kemi bërë kërkesë për ndërrim të trafos as atë nuk e kanë realizu. Nuk ka institucion në Kosovë as publik e as privat që është më i papërgjegjshëm, thjeshtë as një zotim nuk e mbajnë. Nuk e di si ta përshkruajë. Ata janë njerëzit më të pëpërgjegjshëm në Kosovë, prej të parit deri tek i fundit. Jam shumë i frustruar me ta”, thekson Kuçi.

I pari i Junikut paralajmëron edhe padëgjueshmëri qytetare, madje thotë se nëse situata vazhdon të jetë e tillë, qytetarët nuk do t’ia paguajnë faturat, shkruan gazeta inFokus.

“Do të pasojë padëgjueshmëria qytetare, nëse nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve. Do të ketë padëgjueshmëri, nuk do të paguhen dhe do të ketë edhe protesta. Do të jem shumë rigoroz në këtë drejtim. Vijnë punojnë një ditë në javë, pastaj nuk vijnë tre muaj”, përfundon ai.

Mëngjesin e sotëm komuna e Junikut lëshoi një reagim, ku tha se do të ndërpresë çdo lloj bashkëpunimi me KEDS-in, si shkak i furnizimit të dobët me rrymë.

KEDS akoma nuk ka reaguar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0