Kryeshefi Thaqi brenda një dite ua punësoi fëmijët tre menaxherëve të “Infrakosit”

Kryeshefi Thaqi brenda një dite ua punësoi fëmijët tre menaxherëve të “Infrakosit”

Data 20 mars ka qenë fatlume për fëmijët e tre prej njerëzve me pozita udhëheqëse në “Infrakos”, ndërmarrje që menaxhon hekurudhat e Kosovës. Atë ditë kryeshefi Agron Thaqi ka firmosur vendimin për t’i punësuar të tretë.

Pas një konkursi, nëpërmjet të cilit është rekrutuar gati dyfishi i numrit të paraparë në shpalljen publike, kanë siguruar punën në ndërmarrje edhe: F. K., djalë i shefit të shërbimit të stacioneve hekurudhore, Ali Kadrolli; D. G., djalë i menaxheres së resurseve në “Infrakos”, Bahrije Gashi; si dhe A. S., djalë i menaxherit për mirëmbajtjen e linjave hekurudhore, Ismet Sahiti, shkruan KOHA.

Të tre zyrtarët e “Infrakosit” e kanë konfirmuar raportin prind-fëmijë me të punësuarit e rinj, por kanë thënë të mos kenë ndikuar në përzgjedhjen e tyre dhe as të kenë pasur qasje në proceset që lidhen me konkursin – nga përgatitja e pyetjeve të testit me shkrim, e deri tek intervista me gojë.

Por, nëpërmjet një komunikimi zyrtar, menaxherja Gashi kishte dhënë “po”-në, për të pranuar kandidatë më shumë përtej konkursit, ndërkaq Kadrolli ishte vetë kryetar i Komisionit të ankesave për këtë konkurs.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: