Kosova s’po bën Vetting, a do të verifikohen ndonjëherë gjyqtarët e prokurorët?

Kosova s’po bën Vetting, a do të verifikohen ndonjëherë gjyqtarët e prokurorët?

Kanë kaluar më shumë se 1 vit që kur Qeveria e Ramush Haradinajt pati shpalosur planin qeverisës, ku ishte premtuar themelimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, e në kuadër të saj edhe procesin e Vettingut. U përmend aq shumë procesi i Vettingut dhe u premtuan vjeshta e vera që do të nis, por ende nuk ka asgjë prej këtij plani. A do të verifikohen ndonjëherë gjyqtarët e prokurorët e Kosovës?

Çështja e sundimit të ligjit gjithmonë zë vend në planet e institucioneve më të larta në Kosovë. Madje, në planin e Qeverisë Haradinaj, shkruante se Kosova duhet ta themelojë Byronë Nacionale të Hetimeve dhe në kuadër të saj, ndërtohet procesi i verifikimit (vettingu).

Madje, në këtë plan, shkruan se Vettingu i ri do të jetë shumë më përmbajtjesor dhe më i plotë se ai i vitit 2009.

“Në këtë kuadër, Kosova të themelojë Byronë Nacionale të Hetimeve dhe do të ndërtohet procesi i ri i verifikimit të sigurisë (vettingut), porse shumë më përmbajtjesorë dhe të plotë ne krahasim me atë të vitit 2009”, thuhet në planin e qeverisjes Haradinaj në kapitullin e sundimit të ligjit.

Mirëpo, më vonë, pasi Ramush Haradinaj u bë kryeministër, i doli kundër kësaj ideje për proces të Vettingut.

Në gusht të 2018, kryeministri tha se Kosova e ka kry Vettingun, duke aluduar në atë të 2009’s, që fillimisht e kishte përmendur në planin e qeverisjes.

“E kemi kry vettingun, kemi pas vetting, mundemi mi bo 100 vettinge, kush i bon vettinget të njëjtin njerëz. Une ju boj thirrje atyre që i kanë përgjegjësitë hajdeni të punojmë më ligj”, kishte thënë kryeministri Haradinaj.

I zëshëm ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli rreth këtij Vettingu, për të cilin tha se është i domosdoshëm. Kështu është shprehur Veseli në korrik të vitit të kaluar. Madje, atëherë pati thënë se ky proces mund të nis kah vjeshta.

“Hajde ta bëjmë deklarimin e pasurisë, të gjithë qytetarët, ashtu si në vendet evropiane. Ta kryejmë këtë bashkërisht..në anën tjetër, të shkojmë edhe tek vettingu, ta fillojmë kah vjeshta.. të shkojmë gradualisht, ligji është mbi të gjithë”, pati deklaruar Veseli.

Mirëpo, sivjet gati askush nuk e përmendi çështjen e Vettingut në sistemin e drejtësisë, e kështu nuk dihet as kur do të ndodhë dhe a do të ndodhë, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe, në vitin 2009. Kosova kishte kryer procesin e Vettingut, ku u verifikuan gjyqtarë e prokurorë dhe atëherë u patën diskualifikuar rreth 45 gjyqtarë e prokurorë.

Vitin e kaluar, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri pati thënë se në qershor të këtij viti Kosova do ta di saktë se cili do të jetë drejtimi që do të merret në këtë proces.

Vettingun në sistemin e drejtësisë e kërkuan edhe shoqëria civile, pas rastit të prokurorit Elez Blakaj, me aktakuzën e listave të veteranëve të luftës.

Edhe përfaqësues të Bashkimit Europian kanë deklaruar disa herë se Kosova do ta ketë mbështetjen e tyre nëse duan ta realizojnë edhe një proces të verifikimit.

Vettingu, është procesi i verifikimit që synon përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës, në këtë raste gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndryshe, si proces Vettingu bazohet në vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës së personit, vlerësimin e aftësive profesionale ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me profesionin e tij./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0