Kosova përfiton 38.5 milion €uro  grant nga BERZh-i për linjën hekurudhore 10

Kosova përfiton 38.5 milion €uro grant nga BERZh-i për linjën hekurudhore 10

Në ceremoni zyrtare sot u nënshkrua Marrëveshja për Grant për projektin për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 të Kosovës, ndërmjet Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do tëimplementojë grantin e Kornizës për Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza tha se “Republika e Kosovës në 10 vite shtet ka arritur që të ndërtoj mbi 150 kilometra autostradë të cila përfshihet në korridoret trans-evropiane dhe në agjendën e ndërlidhshmërisë së Bashkimit Evropian, ku me plan programin e saj deri në fund të vitit 2021 synon të arrij ndërtimin e korridoreve trans-evropiane të përcaktuara në agjendën e ndërlidhshmërisë në sektorin rrugor dhe hekurudhor”.

“Financimi i ndërtimit të linjës kryesore hekurudhore, e cila na lidh në të dy drejtimet me Bashkimin Evropian, do të realizohet me mbështetje të Bashkimit Evropian, BERZH-it dhe Bankës Investive Evropiane kapë vlerën prej 195. 5 milion euro dhe do të realizohet në tri faza. Faza e parë e projektit e cila pritet të fillojë ndërtimin sivjet përshkon 64 kilometra nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë. Bashkimi Evropian do të financojë 38.5 milion me donacion, BERZH-i dhe Banka Investive Evropiane me nga 19.2 milion kredi. Ndërsa për Fazën e dytë, e cila përshkon linjën nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë me 35 kilometra, nga BE-ja janë ndarë mjete në vlerë prej 17.2 milion euro për punët fizike dhe për këtë do të nënshkruajmë marrëveshje në muajt në vijim”, shtoi ministri Hamza.

Ai bëri të ditur se Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministritë e linjës përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve do të aplikojë për financimin e Fazës së tretë, e cila përshkon segmentin prej 42 kilometrave nga Mitrovica deri në kufi me Serbinë.

“Vlera që do ta kërkojmë për fazën e tretë pritet të kap vlerën mbi 24 milion euro. Për realizimin e këtij projekti janë përfshirë shumë institucione. Me ç ‘rast duhet të falënderoj të gjitha institucionet për punën që keni bërë dhe veçanërisht të falënderoj taksapaguesit evropian për mbështetjen në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë”, shtoi ministri Hamza.

Ndërsa, Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim Christian Danielsson, duke e vlerësuar lartë rëndësinë e nënshkrimit të kësaj Marrëveshje theksoi se kjo hekurudhë i mundëson Kosovës që të lidhet me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian.

“Kjo hekurudhë lidh Kosovën me vendet fqinje dhe për këtë sot kemi nënshkruar një kontratë qe ka të bëjë më ndërlidhshmërinë e hekurudhës nga Prishtina në jug. Është pjesa e ndërlishmësisë me Ballkanin Perëndimor. Në momentin kur kjo linjë të jetë e instaluar do të lejojë lidhje më të mirë dhe mundësi të mira për njerëzit për ti mbajtur kontaktet”.

“Do të bëhet edhe i tërë rindërtimi i korridorit hekurudhor nëpërmjet Kosovës, Bullgarisë dhe Greqisë. E tëra kjo përfshin një program ambicioz për tërë Ballkanin dhe per realizimin e këtij projekti kemi dedikuar 1 miliardë euro për këtë qëllim specifik”, shtoi z. Danielsson.

Drejtoresha Menaxhuese për Evropën Qendrore dhe Juglindore e BERZH-it Charlotte Ruhe theksoi se  kjo marrëveshje ka thelluar bashkëpunimin me Kosovën, me donatorët dhe BERZh-in si dhe do vazhdohet me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera.

Sipas znj.Ruhe, projekti hekurudhor 10 i Kosovës është pjesë e rrjetit hekurudhor kryesor të Ballkanit Perëndimor, një zgjerim i Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit, e cila është pjesë e përpjekjeve më të gjera të BE për të promovuar lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.
“Modernizimi i infrastrukturës së transportit është një nga prioritetet kryesore të BERZH në Ballkanin Perëndimor, duke ndihmuar në përmirësimin e rrugëve tregtare brenda rajonit, në ndërtimin e ekonomive të integruara dhe në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe në përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë duke ofruar një lidhje më të  mirë me rajonin dhe Evropën gjerësisht”, shtoi  znj Ruhe.

Ndërsa, ,ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, theksoi rëndësinë e kësaj linje hekurudhore, jo vetëm si moment i ri i marrëdhënieve BE-Kosovë, por edhe leverdinë ekonomike që do të sjellë hekurudha.

“Ngjarja e sotme është një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-BE. Unë dua të falënderoj BE-në dhe në veçanti Komisionin Evropian për mbështetjen e financimit të rehabilitimit të vijës hekurudhore X. Linja X do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë BE-së dhe do të shërbejë si një nxitje më e madhe për ekonominë e Kosovës. Që nga fillimi i procesit të Berlinit kemi bërë një rrugë të gjatë. Në pak muaj ne do të kemi edhe më shumë të arritura. Dua ta falënderoj Ministrin Hamza, Znj. Ruhe si dhe ekipet e tyre për punën e madhe për ta bërë të mundur këtë sukses”, shtoi ministrja Hoxha.

Në emër të Republikës së Kosovës, Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Bedri Hamza, në emër të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), marrëveshja u nënshkrua nga  dhe Drejtoresha Menaxhuese për Evropën Qendrore dhe Juglindore e BERZH-it Charlotte Ruhe, ndërsa në emër të Komisionit Evropian marrëveshja u nënshkrua nga  Drejtori Gjeneral i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim Christian Danielsson, në prezencën t Drejtorit menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) Thomas Mayr-Harting, Ministres për Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe Shefja  e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së Nataliya Apostolova.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0