Kosova bëhet me sigurime bujqësore

Kosova bëhet me sigurime bujqësore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë lansuar të enjten sistemin e sigurimeve bujqësore në Kosovë.
Gjatë ceremonisë së lansimit të këtij sistemi është nënshkruar edhe kontrata e parë mes një kompanie të sigurimeve në Kosovë dhe një agrobiznesi.

Me këtë rast, Ministrja e MBPZhR-së, Dijana Zivic, ka thënë se me krijimin e sistemit të sigurimit për prodhimtarinë bujqësore, po krijohen mundësitë për menaxhimin e rreziqeve të ndryshme në këtë prodhimtari, duke i parandaluar apo minimizuar pasojat e tyre negative. Ajo po ashtu, ka treguar se Ministria e Bujqësisë do t’i subvencionojë fermerët në një pjesë prej 50 për qind të kostos për primet e sigurimit për bujqësi, në mënyrë që t’i bëjë ato më të përballueshme për fermerët, dhe për t’i përkrahur dhe mbrojtur bizneset e tyre bujqësore.

“Përmes këtij sistemi tashmë në formë të organizuar do të mbrojmë punën dhe të ardhurat e fermerëve në njërën anë, por edhe standardin e jetës së tyre të ndikuar nga humbjet eventuale të prodhimit ose cilësisë, në anën tjetër. Përmes implementimit të këtij sistemi ne do të arrijmë të ndikojmë edhe në rritjen e nivelit të qasjes në financa të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, e bashkë me këtë do të ndikojmë edhe në rritjen e prodhimtarisë bujqësore në vend. Po ashtu ky sistem do të krijojë mundësi edhe për rritjen e eksportit të kësaj prodhimtarie dhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar Zivic.

Ndërkaq, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, vlerësoi se me lansimin e sistemit të sigurimeve bujqësore, shënohet edhe fillimi i një bujqësie më produktive në gjithë vendin.

“Skema e sigurimeve në sektorin bujqësor është një prej atyre pjesëve që e plotëson mozaikun për zhvillimin e sektorit bujqësor në këtë vend në mënyrë që të ketë ngritje të prodhimtarisë bujqësore në vazhdimësi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Leah Soroka, menaxhere e Programit për Evropë dhe Azi Qendrore, projekti Agro-Finance në Bankën Botërore, tha se sistemi në të cilin kanë punuar bashkë me MBPZHR-në, është i domosdoshëm për fermerët kosovarë.

“Sigurimi i bujqësisë është një komponentë thelbësore për ta bërë sektorin e bujqësisë më konkurrues, për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm dhe për t’i rritur aftësitë teknike në mënyrë që të ndihmohet në uljen e rrezikut. Sistemi i ri i sigurimit të bujqësisë do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies në bujqësi dhe kjo do të ndihmojë pastaj në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit”, ka thënë Soroka.

Në ceremoninë e lansimit të këtij sistemi kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, të Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë, përfaqësues të Kompanive të Sigurimeve në vend, si dhe fermerë dhe agrobiznese vendore, para të cilëve janë prezantuar edhe mënyrat e implementimit të sistemit të sigurimit për bujqësi.
Sami Mazreku drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve në Kosovë duke vlerësuar lartë këtë të arritur, ka thënë se që nga sot fermerët kosovarë kanë mundësi t’i sigurojnë kulturat bujqësore. “E falënderoj MBPZHR për këtë mundësi, pasi në vazhdimësi kemi qenë të shqetësuar për humbjet nga katastrofat natyrore. Jemi të lumtur të dëgjojmë se MBPZHR-ja do të ofrojë subvencione për premitë e sigurimit bujqësore prej 50% pasi që kjo tregon angazhimin e madh të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të mbështetur fermerët kosovarë për të tejkaluar humbjet. Ne si shoqatë kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me IFC dhe kemi asistuar në organizime, takime, fushata të ndryshme që kanë qenë të shumta gjatë këtyre dy viteve”, ka thënë Mazreku.

Kurse, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, ka thënë se deri më tani sektori bujqësor ka qenë më pak i përfshirë në skemën e kredidhënieve. “Jemi në dijeni se sektori i Bujqësisë ka mbet më pak i financuar rreth 3.9%, megjithëse kjo mbete për t’u dëshiruar. Bankat Komerciale janë të interesuar për ta mbështetur edhe sektorin e bujqësisë”, u shpreh ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0