Kosnett u bën thirrje Haradinajt e Lekajt t’i japin fund shpejt monopolit të homologimit të veturave

Kosnett u bën thirrje Haradinajt e Lekajt t’i japin fund shpejt monopolit të homologimit të veturave

Kundër monopolit në fushën e homologimit ka dalë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se ndan të njëjtat shqetësime sikurse BE-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës rreth monopolit në fushën e homologimit dhe kontrollimit teknik.

Ai ka thënë se Qeveria Haradinaj duhet të veprojë shpejt, duke respektuar rezolutën e votuar dje në Kuvend, për t’i hapur rrugë një procesi të drejtë dhe një konkurrence fer.

“Unë i ndaj shqetësimet me Bashkimin Evropian, Kuvendin e Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës për kontratën e monopolit për inspektimin e veturave. Një gjë e tillë e shtrembëron tregun dhe i rrit çmimet për konsumatorët. Qeveria do të duhej të veprojë shpejt lidhur me rezolutën jo-obliguese të Kuvendit dhe ta hapë këtë proces për konkurrencë të lirë dhe të drejtë”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter, raporton Gazeta Express.

Se Haradinaj dhe Pal Lekaj duhet të veprojnë për të ndalur monopolin në homologim e ka thënë edhe Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ajo ka thënë se duhet shfuqizuar Udhëzimin Administrativ 02/2018, që e vazhdon edhe më tej monopolin në homologim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0