Koronavirusi i la në gjysmë testimet për patentë-shofer, kjo është dita kur nisin punën Autoshkollat

Koronavirusi i la në gjysmë testimet për patentë-shofer, kjo është dita kur nisin punën Autoshkollat

Sikurse shumica e bizneseve edhe më shumë se 400 autoshkolla në Kosovë tash e dy muaj nuk kanë operuar me punën e tyre për aftësimin e kandidatëve për patentë-shofer në kategori të ndryshme.

Koha e pandemisë solli probleme thuajse në gjithë sektorët në Kosovë. Kështu personat që ishin bërë gati dhe po ndjekin ligjëratat dhe mbanin orët e praktike, mbetën pa i kryer procedurat dhe pa leje të vozitjes.

Kjo pasi qysh me 11 mars me vendim të Qeverisë janë ndërprerë paraqitjet e provimeve, nga pjesa teorike dhe praktike në të gjitha njësitë regjionale.

E pezullimi i punës për më shumë se dy muaj i solli humbje të mëdha këtij sektori ekonomik, pra qindra autoshkollave.

Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave “Dardania” në regjionin e Prishtinës, Afrim Islami në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se dëmet në sektorin e tyre janë shumë të mëdha.

Ai thekson se kanë dërguar kërkesa të shumta në drejtim të institucioneve, por që deri më tani nuk janë përfillur asnjëherë.

“Dëmet janë shumë të mëdha sepse një kompani i ka mbi 10 punëtorë dhe veturat e tyre janë të parkuara me pagesë gjë që janë shpenzime. Për këta dy muaj asnjë kompani nuk pa punuar dhe humbjet janë të mëdha. Deri më tani nuk na ka thirr askush prej ministrisë, kemi dorëzuar disa ankesa dhe nuk është shqyrtuar problemi jonë”, ka thënë Islami.

Ai tutje tregon se jo vetëm në kohën e pandemisë, por edhe më parë kjo kategori nuk është përkrahur nga institucionet e vendit, të cilat nuk kanë marrë parasysh e në shqyrtim problemet e tyre.

“Ne po ashtu kemi pasur edhe probleme të tjera edhe me ligjin e patentë-shoferëve. Ne kemi bërë ankesa dhe kështu kemi marrë edhe premtime nga ministria që do të shqyrtohet ky problem, por asnjëherë nuk jemi marrë seriozisht”, është shprehur ai.

Në anën tjetër nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit kanë pohuar për FaktePlus se rifillimi i punës me kandidatët për shofer do të shqyrtohet në muajin qershor.

Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit Lumir Abdixhiku tha se planifikimet janë që në fazën e tretë që fillon më 1 qershor, të hapet puna për këtë kategori.

“Puna me autoshkollat dhe kandidatët për testimet teorike e praktike do të fillojë shqyrtimet në muajin tjetër. Prej 1 qershorit do të fillojë ky proces dhe ne si ministri  do të diskutojmë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar dhe do të vendosim. Mirëpo ky diskutim do të vihet tek në fazën e tretë”, ka thënë Zogaj.

Ndryshe në Kosovë tashmë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit nga masat e izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Në këtë fazë ka nisur edhe qarkullimi i autobusëve urban në kryeqytet, si dhe me leje të veçantë do të qarkullojnë disa autobusë ndër-urban në Kosovë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0