“Koronavirusi i gjatë” shoqërohet me katër sindroma të ndryshme

“Koronavirusi i gjatë” shoqërohet me katër sindroma të ndryshme

“COVID-i i gjatë” – apo siç njihet ndryshe ndikimi afatgjatë i infeksionit të koronavirusit – mund të ndikojë te njerëzit në katër mënyra të ndryshme, ka bërë të ditur një hulumtim i ri. Dhe kjo do të mund ta shpjegonte arsyen pse disa njerëz vazhdojnë të kenë simptoma, të cilat nuk trajtohen edhe pasi që të konsiderohen si të shëruar nga sëmundja.

Ballafaqimi i gjatë me COVID-19 mund të ketë ndikim të madh psikologjik në jetët e njerëzve, ka treguar po ashtu raporti i Institutit kombëtar britanik për Shëndet Publik.

Personat e tillë kanë nevojë për më shumë mbështetje, ndërsa stafi mjekësor ka nevojë për më shumë informata.

Pasojat afatgjata

Shumicës së njerëzve iu është thënë se do të shërohen nga infektimi me koronavirus brenda dy javësh, ndërsa në rastet e sëmundjes me simptoma më të rënda, brenda tri javësh.

Por sipas raportit, me mijëra persona mund të jetojnë me “Covidin e vazhdueshëm”.

Dhe përderisa rastet me koronavirus po rriten përreth Mbretërisë së Bashkuar dhe kudo tjetër nëpër Evropë, ky numër ka gjasa që të rritet edhe më shumë gjatë muajve të ardhshëm.

Bazuar në intervistat me 14 pjesëtarë të grupit mbështetës në Facebook të “COVID-it të gjatë”, hulumtimi ka zbuluar simptoma të vazhdueshme që kanë ndikuar në çdo aspekt të shëndetit të tyre, nisur nga frymëmarrja, truri, zemra dhe sistemi kardiovaskular deri te veshkat, mëlçia, zorrët dhe lëkura. Këto simptoma mund të shfaqen për shkak të katër sindromave të ndryshme, që përfshijnë dëmtimin e përhershëm të mushkërive dhe zemrës, sindromën e pas-hospitalizimit në përkujdesjen intensive, atë lodhjes pas problemeve virale dhe vazhdimin e simptomave të COVID-19.

Disa prej të prekurve rëndë nga COVID-19 janë detyruar që të qëndrojnë gjatë në spital, por të tjerët, që nuk kanë shfaqur simptoma të rënda, as nuk janë diagnostikuar apo testuar.

Hulumtimi ka treguar se kur konstatohet “diagnoza me COVID-in e gjatë”, atëherë pacientët duhet të ndihmohen në mënyrë që të kenë qasje në mbështetje.

“Po bëhet përherë më e qartë, për disa njerëz, se infektimi me COVID-19 është sëmundje afatgjatë”, thuhet në raport. “Për disa, kjo lidhet me rehabilitimin e tyre që është pasuar me pranimin në spital – por të tjerët është raportuar se kanë përvoja që do t’ua ndryshojnë jetën, që kishin pasuar nga një infektim fillestar që ia dolën me të në shtëpi, deri te simptomat që janë bërë shumë të rënda me kalimin e kohës”.

Autorja e raportit, Elaine Maxwell, ka thënë se ata që kanë qenë të sëmurë rëndë nga COVID-19 do të preken më së shumti, kurse ata që kanë rrezik të ulët për vdekje kishin gjithashtu rrezik më të ulët për të jetuar me këto efekte afatgjata.

Por hulumtimi zbuloi se ky nuk është rasti.

“E dimë tani se ka njerëz që nuk kanë qenë të regjistruar se kanë COVID-19, të cilët janë duke vuajtur më shumë sesa dikush që ka qenë në ventilator për javë të tëra”, ka thënë ajo.

Dhe këto efekte dobësuese te disa njerëz mund të jenë “barrë e veçantë për NHS-në”, shërbim kombëtar shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar.

Kur fëmijët kujdesen për prindërit

Jo House, profesoreshë në Universitetin e Bistolit, nuk është kthyer ende në punë pas më shumë se gjashtë muajsh prejse është infektuar.

“Çdo gjë filloi me një kollë të keqe dhe me vështirësitë në frymëmarrje, por simptomat pastaj u kthyen në plogështi të madhe dhe dhimbje koke, para se të më kapnin problemet me zemër dhe dhimbjet e muskujve”, ka thënë ajo. “Ditën tjetër, kur u zgjova, më merreshin mendtë, humba vetëdijen dhe përfundova në spital”.

Edhe pse ritmi i përshpejtuar i të rrahurave të zemrës dhe problemet me frymëmarrje u përmirësuan paksa, simptomat e vazhdueshme që ajo ka përjetuar janë duke pasur ndikim të madh në jetën e saj dhe të familjes së saj.

Partneri i saj, Ash, ka shfaqur gjithashtu simptoma që nuk po i eliminohen fare. Si pasojë e kësaj, të bijtë e tyre adoleshentë është dashur që të fillojnë e të merren me gatim e pastrim në shtëpi.

“Shumë njerëz janë klasifikuar se kanë simptoma të lehta, por në fakt nuk është fare kështu. Kemi nevojë për mbështetje”, ka thënë ajo.

Edhe pse Jo ka pasur pneumoni, ajo nuk është testuar kurrë dhe nuk është pranuar në spital.

“Të dy lamë amanete, në kohën kur ishim shumë të sëmurë. Ishte e frikshme”, tregoi ajo.

Raporti ka bërë thirrje për mbështetje në komunitet krahas klinikave spitalore të shpalosura së fundmi për “COVID të gjatë”.

Gjithashtu thuhet se COVID-i vazhdueshëm ka gjasa që të ketë efekt të pabarabartë në grupe të caktuara, si mes personave me ngjyrë apo ata aziatikë, por edhe tek personat që kanë probleme mendore apo vështirësi në të mësuar.

“Qëllimi ynë është që shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe stafi ta përdorin këtë hulumtim që t’i kuptojnë më mirë përvojat e pacientëve, me të cilët duhet të merren dhe t’iu sigurojnë qasje për trajtimin, kujdesin dhe mbështetjen që u nevojitet”, ka shtuar Maxwell.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0