Kontrabandë me të madhe, Policia kapë një sasi armësh, mijëra paketime të barnave

Kontrabandë me të madhe, Policia kapë një sasi armësh, mijëra paketime të barnave

Pasi kanë ndaluar një makinë, policia ia ka dalë të kapë një rrjet kriminal, që çoi në konfiskim masiv të armëve të zjarrit, barnave, parave të gatshme e gjërave me vlerë. 99 pistoleta u konfiskuan, gati 2 mijë copë municion dhe mbi 4 mijë paketime të barnave tentuan të kontrabandoheshin brenda territorit të Republikës së Kosovës. Nga operacioni , janë  vetëm 3 persona të dyshuar, të cilët tashmë janë të arrestuar, por Policia nuk ka zbuluar lokacionet ku i ka kryer këto operacione

Ky është operacioni i tretë i bastisjeve dhe kontrolleve që policia e Kosovës i ka kryer brenda 1 jave.

Një sasi e madhe e armëve dhe barnave është kapur më datën 21 mars. Krejt kjo ndodhi pasi policia kishte arritur të ndalonte një veturë për kontroll rutinore. Por, ajo veturë çoi hetuesit deri në kapjen e 99 armëve të shkurtra, gati 2 mijë copë municion dhe mbi 4 mijë paketime të barnave.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media që policia e mbajti në Qendrën e tyre në Prishtinë, u prezantuan gjërat e konfiskuara nga ana e tyre, shkruan Gazeta Express.

Nga ky operacion, janë arritur të kapen dhe arrestohen 3 persona.

Bashkim Spahiu, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, ka thënë se të dyshuarit u kapën pas përgjimit dhe lokalizimit.

“Me datën 10.12.2018 policia ka pranuar një informatë në lidhje me dyshimin për veprimtarinë e një rrjeti kriminal i cili merret me kontrabandimin e barnave dhe medikamenteve mjekësore. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë filluar punën për hetimin e rastit. Prokurori i shteti dhe njësitë operative fillimisht dyshuan në një person, por pas pranimit të kërkesës nga Gjykata Themelore për aplikim të përgjimit dhe lokalizimit, u kuptua se ka edhe të dyshuar të tjerë” ka deklaruar Spahiu.

“Gjithçka ka filluar me ndalimin e një makine me datën 21 dhe gjatë kontrollit policia ka hasur në një sasi të konsiderueshme të barnave ku menjëherë u dyshua për kontrabandim” ka shtuar Spahiu.

Në një nga lokacionet, policia njoftoi se janë gjetur 4210 paketime të barnave “Tamol 200mg”, “Kamagra” në modelin shampon 3012 paketime, 500€ para të gatshme.

Në lokacionet tjera janë konfiskuar armë të shkurta 29 pistoleta të modelit “GLOCK”, 70 pistoleta të tipit “Sig Sauer”, municion kalibër 7,05mm 714 copë, kalibër 6.35mm 5 copë, gjithsej 1754 copë municion.

“Lokacioni i konfiskimit të armëve ishte një depo e një kompanie që kryen shërbime postare në Kosovë. Dyshohet se destinacion ishte tregu kosovar” shtoi Spahiu, në konferencën për media.

Dy bastisje masive ndodhën gjatë kësaj jave në disa vende të Kosovës.

Katër qytete, 32 lokacione, 6 të arrestuar për kontrabandë mallrash

Në 4 qytete janë bastisur 32 lokacione me dyshimin për kontrabandë mallrash.

Pas një hetimi 1 vjeçar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në këtë operacion u arrestuan 6 persona, u gjetën 5 armë dhe 1 mijë e 500 kilogramë duhan.

Prokurori që e nisi këtë hetim, Zejnullah Gashi, ka thënë për Gazetën Express se rreth 15 persona janë pjesë e këtij rrjeti të sofistikuar të kontrabandës, të cilët dyshohen për vepra penale “kontrabandimi i mallrave” dhe “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

Nga ky operacion janë arrestuar gjithsej 6 persona, për të cilët tashmë është nisur hetim.

Express ka raportuar për rrjetin e sofistikuar dhe për të gjeturat në 30 lokacione të ndryshme në katër qytete të Kosovës: Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt.

“Masazha 2019”

Gjithashtu dy ditë më parë, ka organizuar një tjetër operacion me qëllim të inspektimit të lokaleve në komunën e Prishtinës dhe Fushë – Kosovës.

Gjatë inspektimin në 48 lokale janë legjitimuar 211 punëtorë, ku janë hasur duke punuar edhe 5 femra nën moshën nën 18-vjeçare. Janë arrestuar 9 persona të dyshuar dhe akuzohen për “mundësim apo detyrim në prostitucion” si dhe “ofrim i lokaleve për prostitucion”. Gjatë këtij operacioni janë mbyllur 22 lokale./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0