Kontrabanda me energji elektrike: Si po falsifikohet origjina e importit? (Dëshmi)

Kontrabanda me energji elektrike: Si po falsifikohet origjina e importit? (Dëshmi)

Deri para vendosjes së taksës 100% në produktet serbe, energjia elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, importohej nga Serbia. Mirëpo në periudhën pas vendosjes së taksës, gjithçka rreth importit të energjisë elektrike është bërë e paqartë, dhe askush nuk tregon me saktësi se nga cili shtet po importohet energjia elektrike. Për këtë, EkonomiaSot ka bërë një hulumtim i cili shpërfaq fakte shokuese mbi falsifikimin e origjinës së importit të energjisë elektrike. 

Me vendosjen e taksës 100%, importi i energjisë elektrike nga Serbia u ndal sepse me taksë kostoja ishte dyfish më e shtrenjtë.  Si rezultat i ndaljes së importit, në vend filluan reduktimet e ashpra të cilat shumëkujt i kujtonin kohën menjëherë pas luftës.

Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, sepse me gjasë Qeveria dhe KEDS kishin arritur një marrëveshje që do të siguronte ndaljen e reduktimeve dhe rikthimin e gjendjes me furnizim të rregullt. Kjo u shpall përmes një statusi të këshilltarit të Haradinajt, Erolld Belegut, i cili asokohe kishte shkruar se “Prej sot as rryma mo nuk ndalet!”.

Se çka saktesisht u morrën vesh Qeveria me KEDS-in, nuk u sqarua asnjëherë. Në lidhje me këtë, EkonomiaSot ka tentuar të kontaktojë Belegun, por ai nuk ka dashur të përgjigjet duke thënë përmes zëdhënëses së Qeverisë, Donjeta Gashi, se importi i energjisë elektrike është përgjegjësi e kompanisë furnizuese, dhe kjo temë nuk ka të bëjë me taksën 100%.

Duke dashur t’i shkojmë deri në fund kësaj teme, kemi hulumtuar se nga cilat shtete është zëvendësuar importi i energjisë elektrike, dhe mund të thuhet se gjetjet janë shokuese.

Importi i energjisë elektrike sipas KEDS dhe KOSTT

Për të gjetur se nga cili shtet u zëvendësua importi i energjisë elektrike që deri para taksës 100% importohej nga Serbia, fillimisht EkonomiaSot ka kontaktuar KEDS-in, si dhe kompaninë publike KOSTT.

Në përgjigjet e të dyjave thuhet se energjia elektrike blihet në bursën hungareze HUPEX, nga kompani me shtrirje multi-nacionale. Mirëpo as KEDS e as KOSTT nuk e tregojnë se cili është shteti i origjinës apo cila është kompania nga e cila blihet energjia elektrike. Madje përgjigjet e dy kompanive duken sikur të kishin qenë të sinkronizuara, sepse që të dyja japin përgjigje të ngjashme, pa dhënë shumë detaje.

Importi i energjisë elektrike sipas Doganës së Kosovës

Meqenëse KEDS dhe KOSTT nuk treguan për origjinën e importit të energjisë elektrike, EkonomiaSot i ka dërguar pyetje edhe Doganës së Kosovës, por deri më sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ta.

Megjithatë, një informatë të tillë kemi arritur ta sigurojmë nga raportet mujore që publikon Dogana, si më poshtë.

Importi i energjise elektrike ne dhjetor 2018

Importi i energjise elektrike ne janar 2019

Nga tabelat e publikuara nga Dogana e Kosovës lihet të kuptohet se që nga vendosja e taksës 100%, energjia elektrike po importohet kryesisht nga Sllovenia. Më saktësisht, vlera e importit sillet rreth 9 milionë euro në muaj.

Ndërsa Hungaria, e cekur nga KEDS dhe KOSTT, nuk figuron askund si shtet i origjinës. Pra energjia elektrike e importuar mund të jetë blerë në bursë të Hungarisë, mirëpo origjina e importit sipas doganës është nga shteti slloven.

Përgënjeshtrimi i Doganave të Kosovës

Me qëllim të verifikimit të shifrave të publikuara nga Dogana e Kosovës, EkonomiaSot ka kontaktuar edhe me autoritetet sllovene, për t’i pyetur rreth këmbimit tregtar në mes të Sllovenisë dhe Kosovës, sidomos në fushën e energjetikës. Dhe mund të thuhet se përgjigja ka qenë tepër befasuese.

Sipas Ministrisë së Financave të Sllovenisë, për periudhën dhjetor 2018 – janar 2019, Sllovenia nuk ka eksportuar fare energji elektrike në Kosovë.

Kjo përgjigje e autoriteteve sllovene e demanton raportin e Doganës së Kosovës, dhe në fakt shpërfaq faktin se origjina e importit të energjisë elektrike po falsifikohet.

A po importohet energjia elektrike nga Serbia?

Konkludimi i vetëm që mund të bëhet për të arsyetuar një veprim të tillë të falsifikimit të origjinës është se në fakt importi i energjisë elektrike ka vazhduar të bëhet nga Serbia, ashtu siç është bërë në të kaluarën. Por me qëllim që t’i iket taksës 100% e cila e dyfishon koston, origjina e importit është deklaruar si e Sllovenisë.

Se a janë të informuar edhe Dogana e Kosovës për këtë skemë dhe kanë vendosur t’a mbyllin njërin sy, apo edhe ata janë viktimë, kjo nuk mund të thuhet me saktësi. Mirëpo një gjë mund të thuhet me siguri të plotë: se energjia elektrike NUK po importohet nga Sllovenia, sikurse shkruan në raportin e doganës. /EkonomiaSot

[Ky hulumtim është prodhim i EkonomiaSot, andaj ndalohet kopjimi pa lejen paraprake nga [email protected]]

COMMENTS

DISQUS: 0