Konjufca thotë se VV nuk do ta votojë buxhetin

Konjufca thotë se VV nuk do ta votojë buxhetin

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij nuk do ta votojë nesër Projektligjin për Buxhetin 2019.

“Nuk do ta votojmë buxhetin sepse është buxhet i cili nuk përmbush nevojat e qytetarëve por është buxhet për nevojat e qeveritarëve. Kjo qeveri është qeveri e asfaltit …. ne shpenzojmë 140 milionë euro për autostradë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca i ka quajtur pazare kushtet e PSD-së për votim të buxhetit.

“Mendoj se është kërkesë vetëm sa për të bërë pazare me pushtetin, me ja dhanë një lloj velloje patriotike”, u shpreh ai.

Kërkesa e PSD-së për votim të buxhetit është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Sa i përket kësaj kërkese, Konjufca ka thënë se më mirë është me ra krejt qeveria e bashkë me të edhe Rikallo, sesa vetëm Rikallo.

“Ma mirë është me ra kjo qeveri ku do të shkonte edhe Rikallo, sesa veq Rikallo. Këto janë pazare, pazare ka pasur edhe për rastin e Shpend Ahmetit në Gjykatën Kushtetuese…”, u shpreh Konjufca  në një intervistë për Telegrafi.com.

Duke folur për taksën dhe kërkesat për pezullimin e saj, shefi i GP-së të VV-së, theksoi se i gjithë presioni ndaj Haradinajt është i lidhur në zinxhir.

“Kur e vendosëm tarifën gara ke kush e vendosi, e tash kush e ka fajin. Krejt ka të bëjë me faktin se në fillim Vuçiqi u pozicionua kundër taksës, e bllokoi dialogun, Mogherini ju ankua Trumpit e Trumpi po i bënë presion Ramushit”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se në momentin që do të vie në Kuvend mocioni i votëbesimit për rrëzimin e qeverisë, do ta votojnë.

“Ne nuk jemi për ta mbajt këtë qeveri, në momentin që do të vie një mosbesim në kuvend normalisht që ne do ta votojmë. Ne nuk mund ti shndërrohemi në patericë një pushteti që nuk mund të qëndrojë në këmbë të veta”, tha Konjufca.

Ai shtoi se në këtë situatë edhe zgjedhjet janë zgjidhje dhe se VV është pro zgjedhjeve.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0