Konjufca: Protestat nuk do të ndalen derisa të zbatohet vullneti i popullit

Konjufca: Protestat nuk do të ndalen derisa të zbatohet vullneti i popullit

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë protestës së organizuar para zyrës së Prokurorisë të Shtetit, ka thënë se qytetarët janë të revoltuar nga padrejtësitë dhe korrupsioni që po e fundosë shoqërinë.

Ai ka theksuar se protestat do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen derisa vullneti i popullit të vijë në vend.

“Kur pushteti e thërret Aleksandër Lumezin në telefon a e dini se si përgjigjet ky i fundit: Pronto”.

“Jemi mbledhur këtu si qytetarë të revoltuar prej padrejtësisë dhe korrupsionit që po na fundosë”. Jemi bërë bashkë për ta ngritur një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të drejtësisë. Të akuzuarit kryesorë janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët që po i amnistojnë keqbërësit”.

“Nëse një hajn ka vjedhur dru në mal, atëherë ai duhet të frikohet nga Prokuroria. Ndërsa nëse një hajn ka vjedhur para me vlerë prej një milion euro, atëherë garant atë hajn e keni në Qeveri”.

“Pushimi i hetimeve dhe tërheqja e aktakuzave orkestrohet nga pushteti. Një javë pasi që ta heqin aktakuzën, të bëjnë edhe drejtor të AKI-së, siç e ka bërë Hashim Thaçi, Driton Gashin vetëm një javë pasi iu tërhoq aktakuza. Pastaj ky i fundit bënë dëbimin e gjashtë shtetasve turq”.

“Në momentin kur një rast i korrupsionit del në opinion, ky zyrtar i korruptuar e thërret vet prokurorin e shitur dhe bashkë e shkruajnë aktakuzën. Mbi gjysma e seancave që kanë të bëjnë me korrupsion dështojnë për shkak të mungesës së palëve”.

“Një qeverisje e re në Kosovë është e domosdoshme, ne duhet ta bëjmë një reformë të thellë në sistemin tonë të drejtësisë. Duhet ta shndërrojmë në një sistem të rëndësishëm, efikas dhe të fuqishëm. Protestat tona nuk do të ndalen derisa ky vullnet i popullit të Kosovës të vijë në vend”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0