Kompensimi i dëmeve të luftës dhe dështimi i shtetit

Kompensimi i dëmeve të luftës dhe dështimi i shtetit

Shkruan: Robert Muharremi

Qytetarët, të lënë në baltë nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, u janë drejtuar gjykatave të vendit për të kërkuar drejtësi. Mirëpo edhe gjykatat kanë dështuar në këtë drejtim dhe në fund të një procesi disavjeçar Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë mundësinë ligjore për të paditur Serbinë për kompensimin e dëmeve të luftës, sepse gjykatat e Kosovës nuk paskan kompetencë të merren me këtë çështje. Kjo është e gabuar.

Gjykata Kushtetuese do të ketë mundësinë të korrigjojë një padrejtësi që i ka ndjekur Kosovën dhe qytetarët e saj që nga përfundimi i luftës, dhe kjo është mungesa e kompensimit të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia. Sipas raportimeve në media, organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka hedhur poshtë kërkesën për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia. Shteti i Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të kompensuar qytetarët për humbjen ose dëmtimin e pronës së tyre gjatë luftës dhe të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim sipas së drejtës ndërkombëtare. Qytetarët, të lënë në baltë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, u janë drejtuar gjykatave të vendit për të kërkuar drejtësi. Mirëpo edhe gjykatat kanë dështuar në këtë drejtim dhe në fund të një procesi disavjeçar Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë mundësinë ligjore për të paditur Serbinë për kompensimin e dëmeve të luftës, sepse gjykatat e Kosovës nuk paskan kompetencë të merren me këtë çështje. Kjo është e gabuar.

Ligji për procedurën kontestimore (Ligji nr. 03/L-006, i ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-118) përcakton që gjykatat e vendit janë kompetente për kontestet që kanë elementë ndërkombëtarë kur kjo parashihet me ligj ose me kontratë ndërkombëtare (neni 28, para. 2). Fjala “kontratë ndërkombëtare” nënkupton marrëveshje ndërkombëtare midis dy shteteve dhe jo një kontratë të rëndomtë, siç mund të mendohet nga formulimi i pasaktë i këtij neni. Fakt është që Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që u jep gjykatave të Kosovës kompetencë për të trajtuar kërkesat për dëmshpërblim ndaj Serbisë. Serbia as që e njeh Kosovën si shtet e lëre më të pranojë lidhjen e një marrëveshjeje të tillë.

Mirëpo Ligji për procedurën kontestimore nuk përfundon këtu. Në këtë ligj parashihet se nëse nuk ka dispozita në marrëveshje ndërkombëtare ose ligj të veçantë që u jep kompetencë gjykatave vendore, megjithatë gjykata e vendit është kompetente të gjykojë kontestet me elementë ndërkombëtarë kur kompetenca e saj rezulton nga dispozitat e Ligjit për procedurën kontestimore mbi kompetencën territoriale te gjykatës së vendit (neni 28, para. 3). Kjo vlen edhe për rastet kur nuk ka fare marrëveshje ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, nëse nuk është rregulluar me marrëveshje ndërkombëtare, atëherë kompetenca e gjykatës përcaktohet sipas rregullave të përgjithshme të Ligjit për procedurën kontestimore. Ky rregull është shumë i arsyeshëm, sepse ndodh shpesh që ka konteste me elemente ndërkombëtare për të cilat për arsye politike nuk ka marrëveshje ndërkombëtare. Në këtë rast gjykatat nuk guxojnë të refuzojnë kërkesën e qytetarit dhe ta hedhin poshtë për mungesë të kompetencës, sepse për arsye politike qytetarit do t’i mohohej qasja në drejtësi. Në kuadër të rregullave të përgjithshme për kompetencën, Ligji për procedurën kontestimore përcakton që për kontestet që kanë të bëjnë me shpërblimin e dëmit, kompetente është gjykata në territorin e së cilës është kryer veprimi dëmtues ose kanë lindur pasojat e dëmtimit (neni 47, para. 1). Pasi që pronat e dëmtuara ose të shkatërruara nga Serbia ndodhen në Kosovë, kjo i bie që kompetente janë gjykatat e Kosovës në territorin e të cilave ndodhen këto prona. Nga kjo del se vlerësimi i Gjykatës Supreme, që gjykatat e Kosovës nuk kanë kompetencë, është juridikisht i gabuar.

Po ashtu i gabuar do të ishte argumenti që Serbia si shtet gëzon imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të paditet para gjykatave të Kosovës. Ligji për procedurën kontestimore parasheh që për dhënien e imuniteteve shteteve të huaja vlejnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare (neni 28, para. 1). E vërtetë është që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka gjykuar në rastin e kontestit midis Italisë dhe Gjermanisë (“Jurisdictional Immunities of the State”) në vitin 2012 se shteti i huaj gëzon imunitet para gjykatave të një shteti tjetër edhe kur ky shtet ka kryer krime lufte dhe vepra të tjera në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo, sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti i huaj gëzon imunitet para gjykatave të një shteti tjetër vetëm mbi bazën e reciprocitetit dhe të njohjes së ndërsjellë si shtete. Në rastin e Italisë dhe Gjermanisë kjo nuk ka qenë problematike, sepse Italia dhe Gjermania e njohin njëra-tjetrën si shtet dhe në mënyrë reciproke respektojnë imunitetin shtetëror në raportet midis tyre. Kjo nuk ndodh në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Serbia as që e njeh Kosovën si shtet e as nuk i jep Kosovës imunitet para organeve të saj gjyqësore. Reciprocitet nuk ka në këtë pikëpamje. Për këtë arsye edhe Kosova nuk është e detyruar t’i japë imunitet Serbisë.

Për Gjykatën Kushtetuese të gjitha këto mund të mos jenë relevante. Gjykata Kushtetuese thekson vazhdimisht se nuk është instancë e “super-revizionit” për të rishikuar gabimet juridike të cilat i kanë bërë gjykatat e rregullta. Gjykata Kushtetuese shqyrton vetëm nëse ka shkelje të të drejtave themelore nga një organ shtetëror.

Sa i përket të drejtës themelore në pronë (pa u zgjeruar edhe në të drejta të tjera themelore, siç është e drejta në jetë), mund të argumentohet se shteti i Kosovës nuk e ka cenuar këtë të drejtë sepse dëmtimin ose shkatërrimin e pronës e ka bërë një shtet i huaj e jo Kosova. Mirëpo detyrimi i shtetit për të mbrojturdhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të parashikuara me Kushtetutë nuk është i kufizuar në atë që quhet “detyrim negativ”, d.m.th. që shteti drejtpërdrejt të mos e cenojë një të drejtë. Detyrimi i shtetit për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat themelore përfshin edhe “detyrimin pozitiv”, d.m.th. marrjen e masave efektive për të mbrojtur qytetarin nga cenimi i të drejtave të tij themelore nga palë të tjera, përfshirë këtu krijimin e infrastrukturës ligjore dhe mbrojtjen efektive gjyqësore kur ka shkelje.

Praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndihmon në identifikimin e këtyre detyrimeve pozitive, pasi që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë interpretohen në harmoni me vendimet e kësaj gjykate. Në rastet Broniowski v. Poland dhe Paduraru v. Romania, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar se shteti shkel të drejtën në pronë kur nuk nxjerr rregulla të qarta dhe nuk eliminon paqartësi ligjore që pengojnë mbrojtjen e të drejtës së pronës. Në rastin James v. United Kingdom, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar se privimi i pronës së qytetarit, që përfshin edhe shkatërrimin e saj, duhet të kompensohet. Në rastin Sovtransavto v. Ukraine, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vlerësuar se gjykatat vendore duhet të gjykojnë rastet që kanë të bëjnë me të drejtën e pronës në mënyrë të drejtë dhe efektive. Shteti i Kosovës nuk ka respektuar asnjë prej këtyre detyrimeve; as nuk ka miratuar ligje që rregullojnë kompensimin e pronës së shkatërruar ose dëmtuar gjatë luftës dhe as nuk ka bërë përpjekje që të adresojë këtë çështje në rrafshin ndërkombëtar. Po ashtu, gjykatat e Kosovës, me një interpretim të gabuar të ligjit, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje juridike efektive dhe të drejtë siç e kërkon Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, Gjykata Kushtetuese ka mjaft argumente që të mos e hedhë poshtë kërkesën, sepse mungesa e adresimit të duhur të kompensimit të dëmeve të luftës nga shteti dhe nga gjykatat cenon të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Megjithatë, ka rrezik që Gjykata Kushtetuese të marrë parasysh rrethanat politike dhe të bëjë përpjekje të nxirret nga situata duke mos dhënë mendim të qartë juridik për të mos acaruar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo jo vetëm politikisht, por edhe juridikisht do të ishte gabim. Në aspektin juridik, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Sargsyan v. Azerbaijan ka konstatuar se një shtet nuk mund të arsyetohet me mosmarrjen e masave për mbrojtjen e të drejtës së pronës vetëm pse është në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me një shtet tjetër. Në aspektin politik, mesazhi që do ta përçonte Gjykata Kushtetuese është se derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet ajo nuk gëzon imunitet në Kosovë dhe mund të paditet. Rruga e vetme për të parandaluar padi në mënyrë masive kundër Serbisë para gjykatave të Kosovës është që Serbia ta njohë Kosovën dhe në mënyrë reciproke të respektojë imunitetin shtetëror. Megjithatë, mesazhi kryesor do të ishte që më në fund të paktën një organ kushtetues po kujdeset për qytetarët e vet dhe kjo ndoshta ngjall pak shpresë që besimi i qytetarit në sundimin e ligjit të mos rrënohet tërësisht.

(Dr. Robert Muharremi është ligjërues në RIT Kosova , ish-Universiteti Amerikan në Kosovë)

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0