Kocijançiq: Dialog është vetëm ai që ndërmjetësohet nga BE-ja

Kocijançiq: Dialog është vetëm ai që ndërmjetësohet nga BE-ja

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq deklaroi sot se shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini është gati të organizojë një raund të ri të dialogut Beograd-Prishtinë, me parakusht për heqjen e taksave të vendosura nga autoritetet e Kosovës.

“Përfaqësuesja e Lartë është gati të thërrasë përsëri një dialog, por është e qartë se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksat për të siguruar një vazhdim të shpejtë të dialogut,” tha ajo.

Pas samitit në Berlin dhe vendimit që rreth dialogut serish të diskutohet në fillim të korrikut në Paris, Kocijançiq tha se Brukseli mirëpret çdo përpjekje që mbështet dialogun me ndërmjetësimin e BE-së.

“Çdo takim që mbështet dialogun është i dobishëm, mund të kontribuojë dhe të mbështesë, por dialog është vetëm ai që ndërmjetëson BE”, tha Kocijançiq, transmeton kp.

Zëdhënësja e BE-së thotë se takimi i mbrëmshëm në Berlin i dha mundësinë për një shkëmbim informal, të hapur dhe të ndershëm të pikëpamjeve.

“Takimi tregoi një sinjal të rëndësishëm të angazhimit midis dy vendeve anëtare, Gjermanisë dhe Francës, së bashku me të tjerët, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së ardhshme dhe angazhimit më të madh për dialogun Beograd-Prishtinë ndërmjetësuar nga BE”, tha Kocijançiq.

Ajo shtoi se shefja e diplomacisë së BE-së në bisedimet dypalëshe me krerët e Ballkanit Perëndimor në Berlin konfirmoi rëndësinë dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit.

Ajo njoftoi se BE do të vazhdojë të ketë kontakte me krerët e rajonit më 8 dhe 9 maj, kur Mogherini do të marrë pjesë në takimin e Brdo Brione në Tiranë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0