Koalicioni i pafuqishëm, s’ka kuorum për miratimin e ligjeve

Koalicioni i pafuqishëm, s’ka kuorum për miratimin e ligjeve

Pjesa dërrmuese e pikave në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së djeshme nuk arritën të miratohen për shkak të mungesës së kuorumit.

Edhe pse mbi 80 deputetë ishin të pranishëm në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës shumë nga pikat e rendit të ditës gjatë ditës së djeshme nuk arritën të miratohen për shkak të mungesës së kuorumit.

Në votim nuk arriti të dalë “Propozim-rezoluta nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ ose ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë” për shkak se seanca u ndërpre pasi që deputetët nuk merrnin pjesë në votimin e shumë projektligjeve.

Me këtë rast shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh se koalicioni qeverisës tashmë nuk ka fuqi t’i miratojë as ligjet më të thjeshta. Hoti ka thënë se është në interes të vendit të ndërrohet modeli i tanishëm i Qeverisë.

“Mendoj se deputetët flasin më së miri me votën e tyre. Është më se e qartë se ky koalicion nuk ka fuqi politike t’i dërgojë përpara këto procese e t’i votojë ligjet më të thjeshta. Është në interes të ndërrohet ky model i qeverisjes”, ka thënë ai.

Përndryshe, gjatë ditës së djeshme Projektligji i cili arriti të miratohej ishte ai për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga Viti Shkollor 1990/’91 deri në Vitin Shkollor 1998/’99. U formua edhe Komisioni Ad-hoc për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërsa nuk u votua në lexim të dytë projektligji për miniera dhe minerale, projekt-rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-075 për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe të Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, projektligji për tatimin në të ardhurat personale etj.

Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kryesuesin e Bordit të ZRE-së

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Kjo pasi që asnjëri nga anëtarët që kanë kandiduar për këtë post nuk kanë marrë votat e mjaftueshme. Nga 79 deputetë të cilët votuan Bekim Jakupi mori 39 vota, ndërsa Petrit Pepaj 33. Kurse 7 vota ishin të pavlefshme.

Po ashtu ka dështuar edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas. Përveç kandidates Hidajete Vokshi, e cila ka marrë 46 vota e që janë të mjaftueshme për të qenë anëtare e këtij këshilli, për anëtarët tjerë do të përsëritet edhe një herë votimi. Deputetët kanë dështuar të zgjedhin edhe një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Përplasje mes Kadri Veselit dhe Albulena Haxhiut

Gjatë shqyrtimit të dytë të Projekt-rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pasur një përplasje në mes kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiut. Derisa Haxhiu është kryetare e Komisionit për Legjislacione, fjala për të lexuar raportin iu dha deputetit nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa.

Veseli me këtë rast tha se në dokumentin që ka ai shkruan se Beqa është i autorizuar të lexojë raportin. Derisa Haxhiu ia ktheu se ai nuk ka të drejtë t’ia japë fjalën nënkryetarit derisa ajo është e pranishme në Kuvend. Me këtë rast Veseli ia ndali fjalën Haxhiut.

“Shpeshherë nuk matet fjala që del këtu. Duhet të kenë pak kulturë edhe gjinia mashkullore, edhe ajo femërore kur fyejnë. Administrata e Kuvendit u referohet dokumenteve që janë zyrtare. Kjo sjellje është e padinjitetshme në rrethanat kur ka edhe nënshkrim. Unë e kam një dokument të nënshkruar nga Albulena Haxhiu, që e zyrtarizon Hajdar Beqën për ta lexuar këtë raport”, tha ai. Derisa Haxhiu i tha se nuk mundet që asaj t’ia ndalë fjalën, Veseli ia ktheu se ai është kryetari i Kuvendit.

Opozita, kundër importimit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet

Deputetë të subjekteve në opozitë janë shprehur kundër votimit të projektligjit për plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se importimi i veturave më të vjetra është i dëmshëm për ambientin.

“Po vazhdon praktika që ligje të caktuara të nxitura nga interesa të ngushta po sillen në Kuvend, siç është Ligji për Automjete. Ky ligj kërkon rritjen e viteve të importit të veturave të vjetra, që është i dëmshëm për ambientin. Unë mendoj që nuk është roli i deputetëve të përfaqësojnë interesa të caktuara, por të mbajnë interesin publik. Grupi ynë nuk merr pjesë në votimin e këtij ligji”, ka thënë ai.

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë këtë ligj.

“Edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të votojë për këtë ligj. Ne kemi arsye të ndryshme”, ka thënë ai. Ndërsa deputetët e Partisë Socialdemokrate janë shprehur se nëse nuk bëhen disa ndryshime në këtë projektligj ata nuk do të marrin pjesë në votim.

Përndryshe nga opozita, deputetët në pozitë janë shprehur pro miratimit të këtij ligji. Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se miratimi i Ligjit për Automjete është në të mirë të qytetarëve.

“Mbi 70 për qind e veturave në qarkullim në Kosovë janë më të vjetra se viti 2006. Projektligji mund të ketë edhe probleme, por kjo është situata aktuale, Kosova nuk është as Suedi dhe as Zvicër, andaj duhet të kemi një mirëkuptim për qytetarët. Me këtë ligj nuk eliminohet standardi “Euro4”. Unë i lus kolegët që të jenë më konstruktivë. Nuk është fjala për interesa dhe për biznese, besoj që ligji i cili është propozuar është më i miri i mundshëm dhe ka qëllim ta përmirësojë standardin e ajrit. Ne do ta votojmë këtë ligj”, ka thënë ai./zeri

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0