Koalicioni sekret PDK-LDK dhe plani për rrëzimin e Haradinajt

Koalicioni sekret PDK-LDK dhe plani për rrëzimin e Haradinajt

Që para dy javësh, EkonomiaSot kishte raportuar për koalicionin e fshehtë PDK-LDK për zgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së. Grupi parlamentar i LDK-së e kishte votuar kandidatin e PDK-së, dhe kësisoj i kishte mundësuar kësaj të fundit t’a merrte pozitën e Guvernatorit të BQK-së, pozitë e cila i ishte premtuar AAK-së kur ishte themeluar Qeveria.

Nga shumë analistë, kjo gjë ishte parë si flirtim i LDK-së me koalicionin qeverisës, dhe si plan për të hyrë në një koalicion të gjerë qeverisës, ku do të përfshihej edhe LDK.

Mirëpo një burim i EkonomiaSot tregon se situata qëndron pak më ndryshe. Sipas burimit tonë, PDK i ka bërë ofertë LDK-së që para dy muajsh për një koalicion PDK-LDK, pa Ramush Haradinajn Kryeministër, dhe votimi për Guvernatorin e BQK-së ishte vetëm fillimi. Plani ishte që pasi të kalojnë çështjet problematike si Demarkacioni dhe Asociacioni, të rrëzohej qeveria Haradinaj, dhe ajo të zëvendësohej me një koalicion PDK-LDK, pa shkuar në zgjedhje të reja fare, në mënyrë që pjesa më e madhe e pushtetit të ndahej ndërmjet dy partive të mëdha.

Oferta e PDK-së parashihte që pushteti të ndahej ngjashëm sikurse që kishte qenë në koalicionin e kaluar. Pra LDK-së t’i takonte kryeministri, kurse PDK-së gjysma e ministrive. Arsye për këtë, gjithnjë sipas burimit, është fakti që shumica e anëtarësisë të PDK-së janë të pakënaqur me aranzhimin aktual të koalicionit qeverisës, ku shumica e ministrive të rëndësishme është dashur t’u ipen partive të vogla, vetëm e vetëm që të sigurohen numrat për votimin e Qeverisë. Madje, Ministria e Diasporës i ishte dhënë Dardan Gashit pa qenë fare i përfaqësuar në Kuvend.

Në anën tjetër, burimi ynë e konfirmon se LDK ka pranuar këtë ofertë, dhe se plani i tyre është që të nominojnë Avdullah Hotin për kryeministër. Ky aranzhim do të ishte situatë win-win për të dyja partitë, sepse PDK do të marrë më shumë pushtet brenda koalicionit, kurse LDK mund të arsyetohet para elektoratit të vet se po e vazhdon punën e qeverisë të mbetur në gjysmë, tani që demarkacion u hoq si pengesë.

Sot në media u raportua se edhe Haradinaj ka vendosur që të mos rrijë duarkryq por të tentojë t’i kundërvihet këtij plani duke negociuar me LDK-në dhe GDP-në, për të formuar një koalicion i cili do të përjashtonte PDK-në nga Qeveria. Mirëpo kjo më tepër duket si reagim i dëshpëruar karshi planit të PDK-së dhe LDK-së, duke marrë parasysh se LDK tashmë ka dëshmuar lojalitetin e saj që në votimin e Guvernatorit të BQK-së. /EkonomiaSot.com

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0