Koalicionet e lakmisë

Koalicionet e lakmisë

Ndonëse që nga paslufta janë mbajtur gjashtë palë zgjedhjesh, këto të fundit, që do të mbahen më 6 tetor, po konsiderohen të jenë më të paparashikueshmet. Se kush do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pritet të jetë befasi, për shkak të rezultatit të ngushtë që partitë politike patën në mes vete në zgjedhjet e kaluara, por edhe për arsye se në këto zgjedhje tri nga subjektet më të mëdha politike kanë garuar të vetme.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është herët të konkludohet se kush mund ta formojë qeverinë, por ata theksojnë se nuk duhet të jenë të habitshme kombinatorikat e ndryshme të partive në këto zgjedhje, të cilat siç thonë ata, varen nga interesat personale e partiake për pushtet. Analistët nënvizojnë se mundësi më të vogla për të improvizuar do të jepte koalicioni parazgjedhor mes LDK-së e LVV-së, i cili ende nuk është provuar nga qytetarët, ndonëse nuk e përjashtojnë asnjë mundësi të jetë i njëjtë me qeverisjet e kaluara.

Mazllum Baraliu thekson se pas zgjedhjeve të 6 tetorit mund të përsëriten koalicione që në krye të qeverisë të vijnë parti, të cilat mund të kenë dalë të tretat ose të katërtat në zgjedhje. Kësisoj ai potencon se interesi për përfitime dhe për pushtet mund të bëjë bashkë subjekte politike që në programet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët.

“Ka dy variacione që do t’i bëjnë të mundshme koalicionet e panatyrshme paszgjedhore. E para është interesi politik dhe dashuria e madhe për pushtet, për arsye se pushteti këtu te ne fatkeqësisht nënkupton përfitime dhe pasuri të mëdha. Dhe variacioni i dytë janë koalicionet e lakmisë, të interesit e të përfitimeve që ndodhin edhe brenda disa minutave, pa marrë parasysh se çfarë orientime kanë subjektet politike dhe çfarë mjete mund të përdorin kundër njëra-tjetrës, ata mund të bashkohen siç i bashkon interesi dhe kjo është e mundur edhe pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu.

Ndonëse në Kosovë ka pasur përvoja të befasishme të koalicioneve, si ai i LDK-së me PDK-në në zgjedhjet e 2014-s ose ai i mes partnerëve të PAN-it në momentet e fundit në zgjedhjet e kaluara, Baraliu shton se koalicionet e tilla nuk duhet të përjashtohen as në këto zgjedhje, madje siç thekson ai ka shumë indikacione që të ndodhin./ZERI

COMMENTS

WORDPRESS: 0