KMDLNJ-ja dhe Shërbimi Korrektues përplasen rreth gjendjes në qendrat e paraburgimit

KMDLNJ-ja dhe Shërbimi Korrektues përplasen rreth gjendjes në qendrat e paraburgimit

Në janarin e këtij viti është hapur Qendra e Paraburgimit në Hajvali. Edhe pse bëhet fjalë për një objekt të ri, ka vlerësime se ai nuk plotëson as kriteret themelore për të burgosurit.

KMDLNJ-ja ka bërë të ditur për Gazetën Express se të gjitha problemet me të cilat përballet kjo qendër e paraburgimit dhe gjendjen e të akuzuarve.

“Objekti përballet me probleme nga më të ndryshmet. Dëmtimi i objektit, pllakave dhe mureve janë problemet më të vogla që mund të hasen. Ndërkohë që lagështia prezente çdo kund brenda objektit, përfshirë edhe qelitë, vë në pikëpyetje seriozisht shëndetin e të burgosurve, edhe pse stafi dhe rezidentët janë angazhuar në përmirësimin e gjendjes, rezultatet kanë munguar”, thekson KMDLNJ.

Këshilli e ka vlerësuar si shqetësuese privatësinë dhe sigurinë e të burgosurve për shkak të lokacionit tërësisht të gabuar ku u ndërtua objekti. Distanca e shkurtër mes objektit të kësaj qendre dhe ndërtesave banuese tregon se siguria dhe privatësia e të burgosurve lë shumë për të dëshiruar. Por, ende më shqetësuese Këshilli e ka vlerësuar zgjedhjen e lokacionit dhe arkitekturën brenda dhe jashtë, që sipas tyre nëse nuk mënjanohen këto lëshime kjo qendër strategjikisht mund të behet jofunksionale.

Por si arsyetohen në Ministrinë e Administratës Publike që është përgjegjëse për ndërtimin e këtij objekti?

Zeqir Bekolli nga kjo ministri  dëmtimet e objektit i arsyeton me kalimin e kohës së periudhës garantuese. Ndërsa për çështjen e sigurisë dhe privatësisë, Bekolli thotë se ndërtesa ka leje ndërtimore dhe certifikatë të përdorimit të lëshuar nga organet kompetente. E për vlerësimin e KMDLNj-së ai tha se ky vlerësim nuk qëndron.

“Koha e periudhës garantuese ka kaluar, edhe pse kompania ka marrë përsipër sanimin e dëmtimeve të paraqitura në këtë fazë. E nëse bazohemi në certifikatën e përdorimit të kompleksit të lëshuar nga organi kompetent i cili e ka dhënë lejen ky vlerësim nuk qëndron. Ndërtesa ka leje ndërtimore dhe certifikatë të përdorimit të lëshuar nga organet kompetente” ka thënë Bekolli.

Pas disa vizitave monitoruese në këtë Qendër, KMDLNj ka bërë një reagim publik me qëllim të ngritjes së vetëdijes së institucioneve përgjegjëse. Takimi i KMDLNj-së me ministrin e Drejtësisë – Abelard Tahirin, ka treguar njëfarë rezultati ku ky i fundit ka premtuar renovimin e kësaj Qendre të Paraburgimit vitin e ardhshëm. Pra, stafi dhe të dënuarit duhet të presin të paktën edhe 8 muaj për renovim duke shpresuar që renovimi të ketë sukses, edhe pse objekti është lëshuar për shfrytëzim në fillimin e këtij viti.

KDMLNj ka thënë se pothuajse të gjitha qendrat në të gjithë Kosovën, kanë probleme të natyrës teknike. E sidomos ato qendra që janë përfshirë në procese renovimi, ku në vend që të vërehen përmirësime, gjendja e këtyre qendrave është edhe më keq se para renovimit.

E këtë vlerësim të KMDLNj-së e ka mohuar Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke thënë se nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë që pas renovimit në disa qendra, gjendja është bërë edhe me keqe se sa që ka qenë. Mirëpo duke pasur parasysh buxhetin që e ka Shërbimi Korrektues i Kosovës për renovime, nuk është e mundur te rinovohen komplet objektet sepse vetëm Dubrava ka një sipërfaqe prej afro 140 hektarë, me më shumë se 40 objekte, dhe ka objekt banimi që më tepër qe 15 vite nuk është renovuar fare në mungesë të buxhetit”

KMDLNj gjithashtu ka dhënë detaje edhe për gjendjen e Qendrës së Paraburgimit në qytetin e Gjilanit të cilën e ka vlerësuar si të çuditshme sepse është në mes të dy kontrasteve. Nga jashtë, pamja është shumë e mirë ndërkohë që ambienti rrethues vërehet se ka mungesë të theksuar të infrastrukturës. Ujërat e zeza dhe mbeturinat vërehen gjithandej, e gjithashtu ka edhe mungesë të parkingut. E gjatë përurimit të këtij Burgu, kryetari i Gjilanit pati bërë një zotim publik në përmirësimin e këtyre problemeve të cekura më lart. Fatkeqësisht, deri tash ky zotim nuk është plotësuar.

Edhe pse për personat e izoluar ndriçimi natyral është esencial, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë dhe Prizren ka mungesë të këtij ndriçimi, si për të burgosurit ashtu edhe për stafin. E në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, ka edhe të dënuar afatgjatë me më shumë se 25 vite burg, gjë që e pamundëson plotësimin e kushteve për këta të dënuar për faktin se nuk ka dhoma për vizita të lira, aktivitete sportive, kulturore etj. Kështu e ka vlerësuar situatën Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Por edhe këtë e ka mohuar Thaçi duke thënë se nuk ka të dënuar me 25 vite burgim apo më shumë.

Situatë pak më ndryshe është vlerësuar nga KMDLNj në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, e cila pas gjendjes katastrofale në të cilën ndodhej, 4 të dënuar dhe 1 oficer me vetiniciativë e me shumë pak mjete në dispozicion janë detyruar të intervenojnë me aq sa kanë pasur mundësi, dhe gjendja pas këtij intervenimi është shumë më mirë se sa në ato qendra të cilat janë renovuar së fundmi. Rezultatet e këtij intervenimi e bëjnë Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, të vlerësohet aktualisht si Qendra më e mirë e paraburgimit në Kosovë, si për të akuzuarit ashtu edhe për stafin.

Ndërsa Thaçi ka bërë të ditur se prioritet i SHKK-së janë programet rehabilituese, e rehabilitimi më i mirë është që të burgosurit të punojnë.

“Ne kuadër të objektivit, Trajtimi i të burgosurve, që është edhe prioritet i SHKK-së hyjnë programet rehabilituese për të burgosur. E Rehabilitimi më i mirë i të burgosurve është aktivizimi i tyre në punë” ka thënë Thaçi. Ndërkohë që diçka pozitive KMDLNj tha vetëm për Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, e cila me pak përmirësime mund të shndërrohet në model për vendet e rajonit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0