Klinika e QKUK-së rrezikon punëtorët dhe pacientët, menaxhmenti nuk ndërmerr asgjë

Klinika e QKUK-së rrezikon punëtorët dhe pacientët, menaxhmenti nuk ndërmerr asgjë

Rrezik për punëtorët dhe pacientët! Ky është konstatimi për shumicën e aparaturave të radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare nga një inspektim i brendshëm i kryer në muajin janar. Në këtë raport kërkohet ndërhyrja brenda 90 ditësh por ky afat tani ka kaluar dhe menaxhmenti i lë stafin mjekësor nën mëshirën e rrezeve jonizuese

Klinika e Radiologjisë në QKUK më datën 15 janar të këtij viti, ka qenë subjekt i inspektimit nga Shefi i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë të SHSKUK-së, Sali Bllaca. Në këtë inspektim kanë marr pjesë edhe Mimoza Sadikaj-Gashi nga Radiologjia dhe Bashkim Ibrahimi – inxhinier i makinerisë në QKUK. Inspektimi ka nxjerr konstatime alarmante për gjendjen e aparaturave të cilat po i rrezikojnë punëtorët dhe pacientët.

Në raportin të cilin e posedon Gazeta Shneta, konstatohet se në dhomën e Rezonancës Magnetike mungojnë: ventilimi, dalja emergjente, mirëmbajtja e nyjeve sanitare, kontrollet mjekësore, trajnimi i të punësuarve dhe ulëset në pritore. “Mund të theksojmë se kjo hapësirë është e ngarkuar shumë me pacientë dhe përcjellës, hapësira lëvizëse është jo adekuate…Në hapësirat ku gjenden aparaturat e gjenerueseve të rrezatimit nuk duhet të lejohet qasje e lirë për përcjellës të pacientëve”, thuhet në raportin i cili mban datën e arkivuar 5 shkurt 2019.

Ventilimi për nxjerrjen e rrezeve jonizuese mungon pothuajse në të gjitha kabinetet e radiologjisë. Përveç kësaj, mungojnë edhe syze mbrojtëse për personelin mjekësor si dhe jelek të plumbuar për pacientët. Ndërsa në asnjë nga këto dhoma të radiologjisë, për stafin mjekësor nuk kryhen kontrolle mjekësore për çka punëdhënësi, në këtë rast QKUK, është e obliguar ta dërgoj për kontrolle së paku një herë në vit.

“Këshillohet punëdhënësi që të instaloj sistemin e ventilimit të posaçëm në atë mënyrë që ventilatori i vendosur në diagonale nga dyshemeja (lartësi 30-40cm) i cili fut ajrin brenda dhe në lartësi në një diagonal ventilatori i cili nxjerr ajrin jashtë. Po ashtu të ketë ventilim adekuat, neni 13, pika 1.5, Ligji nr 04/L-161”, thuhet në raport në konstatimet për Kabinetin CT 6.

Në Kabinetin Rtg numër 3 inspektimi ka gjetur se ventilimi nuk funksion fare, nuk ka dorëza mbrojtëse dhe as syze qelqi. Poashtu mungojnë përparëset dhe qaforet e plumbuara. Raporti kërkon nga QKUK që t’i eliminoj të gjitha vërejtjet për këtë kabinet. Pothuajse gjendje e njëjtë është edhe në kabinetet tjera të Rtg-së, ndërsa gjendje edhe më e rënduar është në Klinikën Infektive ku konstatohet se pajisja është e teknologjisë së vjetër dhe “mund të shkaktoj rrezik”.

Pajisje mbrojtëse mungojnë edhe në dhomën e Angiografit në kabinetin numër 4, në dhomën e CT-së në Klinikën e Neurologjisë, si dhe në kabinetet e Rtg-së në Klinikën e Kirurgjisë, Pulmologjisë dhe Ortopedisë.

Në fund të këtij raporti QKUK rekomandohet që të eliminoj vërejtjet e konstatuara në afatin prej 90 ditësh. Por ky afat ka skaduar të hënën kur janë bërë 3 muaj nga data e dorëzimit të këtij raporti tek menaxhmenti i Klinikës dhe SHSKUK-së. Deri më tani nuk është ndërmarr asgjë për të sanuar gjendjen e rëndë ku punojnë radiologët, infermierët dhe ku pacientët marrin shërbime çdo ditë.

Gjendje alarmante në këtë Klinikë ka konstatuar edhe Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore me një raport i cili është publikuar gjatë muajit prill. /Gazeta Shneta/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0