Kërkohet që pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t’u kthehet qytetarëve

Kërkohet që pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t’u kthehet qytetarëve

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, sot është shënuar 10 vjetori i Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Derisa është kërkuar ndëshkimi i autorëve të krimit, është përmendur nga ambasadat e huaja në Kosovë edhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve, ku sipas tyre duhet t’u kthehet qytetarëve të vendit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i krimeve, tha ai se rrezikon përsëritjen e krimit.Lumezi tha se prokurorët e shtetit duhet t’i sigurojnë qytetarët që ligji është forca që e bën të mundur lirinë.

Kryeprokurori i shtetit tha se duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që këto viktima të mos pësojnë me fatalitet, ashtu siç ka ndodhur. E kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por si vend lëngon në zbatimin e saj.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës.

Zëvendësambasadori i SHBA-së, Nicholas Giacobbe, në fjalën e tij ka thënë se shteti amerikan është këtu për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.Duke përmendur rastin kur në Gjakovë, Pjetër Nrecaj kishte vrarë gruan dhe vajzën e tij, ani pse bashkëshortja kishte raportuar rastin e dhunës disa herë, ai tha se Kosova duhet të zbatojë në mënyrë të vazhdueshme urdhrat për mbrojtje në rastet e dhunës në familje.

Ndërsa përfaqësuesja nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker, ka kërkuar që të luftohet korrupsioni dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t’u kthehet qytetarëve.

Basri Kastrati, menaxher i zyrës për mbrojtjen e viktimave, u zotua se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e këtyre viktimave do të vazhdoje gjatë 365 ditëve jo vetëm gjatë kësaj jave. /kp

COMMENTS

WORDPRESS: 0