Kërcënimi që sollën njerëzit e Trump: Nëse nuk hiqet taksa e tërheqim ushtrinë nga Kosova

Kërcënimi që sollën njerëzit e Trump: Nëse nuk hiqet taksa e tërheqim ushtrinë nga Kosova

Njerëzit e Trumpit, në takimet e shumta që kanë zhvilluar sot me spektrin politik, përvec tjerash, kanë kërcënuar se nëse Kosova nuk ia heq taksën produkteve serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të tërheqin trupat ushtarakë nga Kosova. Aktualisht SHBA ka rreth 650 trupa në Kosovë kryesisht në stacionuar në kampin Boondsteel bazën më të madhe amerikane në Evropë.

Një burim i besueshëm i Gazetës Express, që sot ka qenë në takim me delegacionin amerikan ka thënë se njerëzit e administratës Trump e kanë kërcënuar Kosovën edhe tërheqje trupash nga Kosova.

“Në takimet e deritanishme kanë kërcënu që munden me u tërheq prej Kosovës edhe ushtarakisht, njëjtë sikur në Siri”, ka thënë ky burim.

Delegacioni i udhëhequr nga John Erath, drejtor kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, si dhe nga drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, kanë mbajtur një rekord të takimeve. Në të gjitha këto është diskutuar për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.

Delegacioni ka takuar dje kryeministrin Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi. Shefi i ekzekutivit ka lënë mbledhjen pak minuta para se ajo të përfundonte. Është injoruar kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili as dje e as sot s’është thirrur në takime nga amerikanët.

Haradinaj ka treguar se as pak këtij takimi nuk ka pranuar që taksa ndaj Serbisë të hiqet, pa u njohur pavarësia e Kosovës.

Thaçi nuk ka folur asgjë, ndërsa në orët e mbrëmjes ka shkuar në shtëpinë e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Mëngjesin e sotëm i pari i vendit ka vazhduar takimet me njerëzit e administratës Trump, mirëpo në zyrën e tij ka qenë edhe ekipi negociator, i udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Zyra e Presidentit doli me njoftim se të gjithë anëtarët e ekipit negociator janë pajtuar se duhet të dëgjohen këshillat e amerikanëve dhe të hiqet taksa.

“Të gjithë anëtarët e ekipit negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, shkruante në komunikatën e ZKM-së.

Këtë e ka mohuar Shpend Ahmeti, duke thënë se nuk është pajtuar se duhet të pezullohet taksa.

“Delegacioni shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës. Ka qëndrime të subjekteve të ndryshme dhe ato janë tashmë të njohura për publikun. Për më shumë, as unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme”, ka shkruar në reagimin e tij Ahmeti.

Ndërkaq, para amerikanëve është zbutur Fatmir Limaj, partneri i Haradinajt i cili deri tash po e përkrahte taksën dhe qëndrimin e Kryeministrit për mosheqjen e saj.

Limaj ka thënë se duhet të merren parasysh këshillat e amerikanëve që çojnë në fillimin e dialogut.

Gjatë ditës delegacioni ka takuar një pjesë të deputetëve të disa partive opozitare. Në takim ishte marrë pjesë deputetët e LDK-së, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi; deputeti i Alternativës Ilir Deda dhe deputeti i PSD-së, Visar Ymeri.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që s’është raportuar se ka pasur ndonjë takim me delegacionin nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë të SHBA’së.

Ish –Sekratari Mattis para se të merrte pozitën gjatë një dëshmie në janar të vitit 2017 para senatit, kishte thënë se prania e ushtarëve amerikanë është kritike për të siguruar stabilitetin në rajon. Ai kishte thënë se para largimit do të ishte e mençur që FSK të marrë mandatin për të siguruar mbrojtjen territoriale. /Express/

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0