Kërcënimi ndaj Albin Kurtit, nisin hetimet

Kërcënimi ndaj Albin Kurtit, nisin hetimet

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë duke e hetuar kërcënimin ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin nga “Garda Vullnetare Shqiptare”. Lajmin e kanë bërë të ditur për Gazetën Express nga Policia e Kosovës.

Për herë të parë, në një njoftim që e publikoi kryeministri në detyrë Albin Kurti, u përmend emri i një organizate të quajtur, Garda Vullnetare Shqiptare.

Kurti publikoi një kërcënim që kjo organizatë i ka bërë përmes një komunikate.

Kreu i qeverisë në detyrë, e lidhi këtë komunikatë me punën që është duke e bërë Kushtetuesja që brenda këtij muaji pritet që të interpretojë  dekretin e bërë nga presidenti Hashim Thaçi.

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër. Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata. Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, deklaroi mbrëmë Kurti kur pëmendi kërcënimin e bërë ndaj tij.

Me rastin tashmë po merret edhe Policia e Kosovës e Prokuroria Speciale.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga PK’ja kanë deklaruar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda po e trajton rastin si dhe është në fazë të hetimit dhe grumbullimit të informacionit.

Të njëjtit kanë bërë të ditur se kjo po bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se Policia e Kosovës, në këtë Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është duke e trajtuar si rast, dhe është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”, thuhet në përgjigjen e policisë./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0