KEK-u akuzon KEDS-in se po i mashtron qytetarët

KEK-u akuzon KEDS-in se po i mashtron qytetarët

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj Kompanisë së Distribucionit dhe Shitjes së energjisë elektrike, KEDS/KESCO, duke thënë se kjo kompani ka përgjegjësi ligjore furnizimin 100 % të qytetarëve me energji elektrike.

Kjo, sipas KEK-ut, në përputhje me kontratën e nënshkruar mes konsumatorëve dhe kompanisë.

KEK-u thotë se KEDS/KESCO, në vend se të përmbush këtë obligim kontraktual, që saktësisht thuhet në Nenin 33, Pika 4 si dhe Nenit 34 Pika 2.8.2 të Ligjit për Energji Elektrike, vazhdon tentimet për të manipuluar opinionin publik përmes komunikatave për media dhe dezinformatave.

“Pra, KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, siç parashihet me ligj, e ka obligim furnizimin e qytetarëve pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese vendore, pra të KEK-ut. Këtë e ka sqaruar qartë para pak ditësh edhe institucioni shtetëror që rregullon këtë treg, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thotë KEK-u në një sqarim dërguar mediave.

Prandaj, thotë KEK-u, “sjellja e KEDS/KESCO, duke tentuar të manipulojë opinionin publik, përveç se po shkel rregullat e tregut, po bën edhe veprime aspak korrekte dhe jo profesionale në raport me përgjegjësitë dhe obligimet që ka edhe ndaj KEK, si kompani kontraktuale”.

Korporata Energjetike e Kosovës thotë se vazhdimisht raporton te institucionet kompetente dhe mediat për kapacitetet prodhuese.

“Operatorët në treg sikurse edhe KEDS/KESCO dhe organi përgjegjës për rregullimin e tregut (ZRRE) e dinë që KEK-u në vazhdimësi është në përputhje të plotë me nominimet dhe njoftimet paraprake për të cilat jemi të obliguar t’i raportojmë 24/h me herët sa i përket kapaciteteve prodhuese. Ndryshe, KEK-u në rrethanat kur dështon të përmbush obligimin e prodhimit të planifikuar brenda 24/h, ka për obligim që me çmime jashtëzakonisht të larta të paguajë për sasinë e devijuar”, thekson KEK-u në njoftimin për media.
Sasia tjetër e energjisë e nevojshme për konsum, thotë KEK-u, është obligim ligjor dhe përgjegjësi e KEDS/KESCO.

“Ndryshe, siç e kemi cekur edhe më herët pikërisht për të pasur rrymë 24 orë është privatizuar distribucioni. Përfundimisht qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mashtrohen me deklarata për media që lëshohen nga KEDS / KESCO duke raportuar se sa janë kapacitetet prodhuese të termocentraleve të KEK-ut”, përfundon KEK-u.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0