KDI: Gjatë vitit 2018-të, 1671 mungesa të deputetëve në seanca plenare e komisione

KDI: Gjatë vitit 2018-të, 1671 mungesa të deputetëve në seanca plenare e komisione

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar “Raportin e Monitorimit të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës 2018”, raporton Ekonomia Online.

Ky raport flet për gjetjet e shkeljeve të rregullores, mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve në Kuvend dhe Komisione si dhe udhëtimet zyrtare të deputetëve jashtë vendit.

Agnesa Haxhiu nga KDI, tha se këtë vit Kuvendin e Kosovës e ka karakterizuar mungesa e kuorumit gjë e cila ka bllokuar vendimmarrjen në shumicën e seancave plenare.

“Raporti përmban të dhëna statistikore, në fillim të vitit 2018 dalja nga koalicioni i Listës Serbe ka qenë pikënisje e bllokadës në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit që shpesh e ka bllokuar vendimmarrjen”, tha Haxhiu.

Sipas saj, ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj krijimi i partisë Socialdemokrate ka minuar rolin e opozitës në Kuvend.

“Ndarja e grupit të Lëvizjes vetëvendosje e “ka minuar rolin e opozitës për shkak të problemeve dhe përçarjeve mes dy grupeve opozitare. Kuvendi gjatë vitit 2018 ka shënuar progres sa i përket përformancës, Kuvendi këtë vit qëndron më mirë sa i përket debateve dhe pyetje parlamentare. 38 ligje nga 75 ligjet që janë aprovuar gjatë vitit 2018, të cilat derivojnë nga MSA. Progres ka shënuar kuvendi në nismat ligjore”, tha ajo, raporton EO.

“…Këtë vit Kuvendin e karakterizuan edhe mungesat e deputetëve në seanca plenare e komisione ku janë shënuar gjithsej 1671 mungesa. Ndërsa LDK, udhëheq me numrin e mungesave sa i përket grupit të tyre parlamentar me gjithsej 463 mungesa. Në përgjithësi numri i komisioneve të mbajtura është 414. Numri i mungesave në seanca përkon me 1671 mungesa. Numër të madh ka shënuar edhe mungesa e deputetëve në komisione ku ka pasur 1249 mungesa. LDK është grupi parlamentar i cili ka shënuar më së shumti mungesa në seanca plenare, me 463 mungesa”, u shpreh ajo.

Kuvendi këtë vit sipas KDI-së nuk e ka kursyer as buxhetin e shtetit, ku ka realizuar gjithsej 310 udhëtime e që buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 240 mijë euro.

“Shpenzimet e Kuvendit, gjatë vitit 2018 ka shënuar regres në transparencën financiare. Deputetët kanë shënuar 310 udhëtime janë vendit në vitin 2018 që buxhetit i ka kushtuar 240 mijë euro. PDK-ja prin me numrin e vizitave në udhëtime jashtë vendit, gjithsej 84 vizita”.

Sipas KDI-së këtë vit kuvendi nuk ka shpëtuar as pa shkelje të rregullores. Miratimi i ligjeve është përcjellë shpesh herë me shkelje të rregullores së punës së Kuvendit, edhepse rregullorja përcakton se amendamentet votohen si të veçanta në raste të shpeshta ato janë votuar në grup siç është rasti me Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

Sipas deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, mungesa e pozitës lidhet me aventurën e Hashim Thaçit për seancat për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim territoresh.

“Kur ne monitorohemi nga shoqëria civile bëhemi edhe më të përgjegjshëm ndaj detyrave tona. LVV konsiderohet si grupi më aktiv në Kuvend të Kosovës. Opozita mund të ketë vendim politik për ta bojkotuar Kuvendin e Kosovës. Mungesa e pozitës lidhet me aventurën e Hashim Thaçit për seancat për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim territoresh. Që nga 29 shtatori për shkak të rrethanave politike situata në Kosovë ka ndryshuar. Është një problem tjetër që nuk ka asnjë sanksion ndaj deputetëve që nuk përfillin pyetjet e deputetëve”, u shpreh Haxhiu, raporton EO

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0