Kategoritë e dala nga lufta kërkojnë rritje të pensioneve

Kategoritë e dala nga lufta kërkojnë rritje të pensioneve

Qeveria e Kosovës në fillim të kësaj jave vendosi që me buxhetin e vitit 2019, të rrisë pensionet për disa kategori. Pensionet bazike, pensionet kontributdhënëse dhe ato të parakohshme të punëtorëve të Trepçës, janë ato që janë rritur me vendimin e fundit të ekzekutivit. E në këtë rritje nuk u përfshinë kategoritë e dala nga lufta, ku përfaqësuesit e tyre po kërkojnë nga kryeministri që të ketë rritje të pensioneve edhe për ta.
Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë sillet rreth 170 mijë. 25 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, ndërsa 45 mijë janë kontributpagues.

Dje janë procesuar pensionet me rritje, 20% për pensionet bazike, familjare, dhe invalidore të punës, 20% për pensionin e parakohshëm të Trepçës dhe 15% për pensionet kontributdhënëse.Por rritje të pensionit po kërkojnë edhe kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë.

Xhevdeti Qeriqi, kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, është shprehur i zhgënjyer nga shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj.“Kryeministër ne si luftarë a nuk e merituam të paktën një euro ngritje të pensioneve a? Kemi besuar dhe shpresuar shumë tek ju, mirëpo kësaj here na ke zhgënjyer”, ka shkruar Qeriqi.

I kontaktuar nga KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka sqaruar se kategoritë e dala nga lufta janë kategori e veçante dhe si e tillë nuk janë përfshirë në rritjet e fundit të pensioneve bazike dhe kontributdhënëse.

“Nuk jemi përfshire në rritje, jemi kategori e veçante, por presim nga Qeveria e Kosovës. Ne i kemi dërguar kërkesat tona të kryeministri i vendit, dhe po presim, shpresojmë të marrim përgjigje pozitive”, ka thënë Jashari përmes telefonit.

Ndërsa dje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka deklaruar se brenda mundësive buxhetore do të vazhdojnë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0