Kanadaja mbështet integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës

Kanadaja mbështet integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës

Kanadaja do të vazhdojë që të mbështesë integrimin e plotë të Kosovës brenda komunitetit ndërkombëtar, ka bërë të ditur ambasadori i këtij shtetit në Kroaci dhe Kosovë, Daniel Maksymiuk.

Ai ka shprehur bindjen se e ardhmja e Kosovës është integrimi euroatlantik sikurse edhe sigurimi i ulëses në Kombet e Bashkuara. Diplomati kanadez optimizmin e tij rreth këtyre çështjeve e ka shpalosur të dielën mbrëma në Prizren, gjatë ceremonisë së shënimit të 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kanada-Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Teksa ka përkujtuar 20-vjetorin e përfundimit të konfliktit të tmerrshëm në Kosovë, Maksymiuk ka pohuar se “Kanadaja është krenare që ka qenë pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe që ka vepruar së bashku me aleatët për të mbrojtur civilët”, derisa ka çmuar edhe sakrificën e kosovarëve, “që i rezistuan shtypjes dhe synonin të jetonin në një shtet të lirë dhe demokratik”.

“Kanadaja është krenare që ka qenë partner për popullin e Kosovës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë ai.

Maksymiuk ka theksuar se dhjetë vjet më parë, kur Kanadaja dhe Kosova kanë themeluar marrëdhënie diplomatike, as 60 vende nuk e kishin njohur Kosovën.

“Sot, ai numër pothuajse është dyfishuar, dhe Kosova është anëtare e Bankës Botërore, BERZH-it, Frankofonisë, Organizatës Botërore të Doganave, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, dhe FIFA në mes të tjerash… Vendi im do të vazhdojë të mbështesë integrimin e plotë të Kosovës brenda komunitetit ndërkombëtar dhe jam absolutisht i bindur se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara”, ka deklaruar Maksymiuk.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0