Jeta e të burgosurve më të rrezikshëm në Kosovë | Reportazh nga Burgu i Sigurisë së Lartë

Jeta e të burgosurve më të rrezikshëm në Kosovë | Reportazh nga Burgu i Sigurisë së Lartë

Hapësira prej 11 hektarësh që gjendet në kodrën e fshatit Gërdoc, i takon Burgut të Sigurisë së Lartë. Këto 11 hektarë i mbajnë të burgosur personat më të rrezikshëm në Kosovë. Tri objekte me kapacitet që mbajnë 390 të burgosur, me 270 kamera të sigurisë, janë ndërtuar në vitin 2013. Gazeta Express ka qëndruar një ditë në këtë burg për ta realizuar këtë reportazh
Asnjë i burgosur që gjendet në këtë burg nuk është i dënuar me më pak se 15 vjet burg. Kryesisht, ata janë të dënuar për vepra si krim i organizuar, krime të luftës dhe terrorizëm.

Tri objektet e burgut, mund të mbajnë 390 të burgosur dhe hapësira prej 11 hektarësh e burgut, mbulohet me 270 kamera të sigurisë.

Secila lëvizje jashtë dhe brenda burgut monitorohet nga Qendra e Monitorimit, në të cilën dy oficerë vëzhgojnë 24 orë.

Ilir Kelmendi, ushtrues detyre i drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, tregon se për burgun e ndërtuar në vitin 2013 fondet ishin siguruar nga Bashkimi Evropian dhe nga buxheti i Kosovës.

“Fondet kanë qenë të përziera, nga Bashkimi Evropian bashkërisht me buxhetin e Kosovës. Për ndërtimin e këtij institucioni janë dhënë përafërsisht 15 milionë euro”, tha Kelmendi.

Ai tregoi se të burgosurit e parë janë pranuar në vitin 2014. Burgu i Sigurisë së Lartë është i dedikuar vetëm për të burgosurit rrezikshmëria e të cilëve është e lartë dhe veprat e tyre janë me dënime të gjata.

Në çdo pikë të hyrjes, e sidomos te Pika Zero, të gjithë kontrollohen në mënyrë të detajuar. Gjërat personale mbyllen në kutitë e posaçme dhe nis identifikimi dhe skanimi i gjërave që merren me vete për në portën e parë.

Për planin dhe organizimin operativ më shumë ka dhënë detaje mbikëqyrësi i Lartë Operativ, Adnan Emini.

Emini, i cili punon që 15 vjet në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka nisur punën në Burgun e Sigurisë së Lartë që nga ndërtimi i tij, që 5 vjet.

“Në portën Zero punojnë 3 oficerë. Njëri është përgjegjës për siguri, kurse dy të tjerë janë përgjegjës për procedurën e vizitave familjare dhe vizitave zyrtare”, tha Emini.

Për vizitat e familjarëve, Emini për Express tregoi se ndahen varësisht prej kategorizimit të të burgosurve. Vizitat për të burgosurit dhe të paraburgosurit që gjenden në këtë institucion, janë të caktuara të mbahen 2 herë në muaj.

“Vizitat familjare bëhen varësisht prej regjimeve dhe varen nga kategorizimi i të dënuarve. Ne mbajmë këtu edhe të paraburgosur të cilët i kanë ditë të caktuara të vizitave”, tha Emini.

E për vizitat familjare, ai tha se bëhen nga dita e hënë e javës deri në ditën e premte.

Të hënën, vizitohen nga familjarët të burgosurit, kurse të martën vizitohen të paraburgosurit. E ditën e mërkurë kanë vizita minoritetet.

Familjarët e të të burgosurve dhe të paraburgosurve, mund të rrinë në vizitë deri në 1 orë, 2 herë në muaj.

Ushqimit i japin mjaft rëndësi, andaj burgut nuk i mungon një listë e gjerë me lloje të ndryshme të ushqimeve. E, siç na tregoi edhe mbikëqyrësi operativ, kujdesen që ushqimi të jetë kalorik.

Burgu i Sigurisë së Lartë ka gjithsej 3 pavijone; pavijoni i parë është i dedikuar për të burgosurit me rrezikshmëri shumë të lartë; në pavijonin dy janë të burgosurit e klasifikuar që përdoren për punë nëpër institucion si pastrim, kuzhinë, shpërndarje të ushqimit, pastrimin e perimetrit të jashtëm; dhe pavijoni i tretë që hyjnë të burgosurit nga minoriteti serb dhe një kategori më e veçantë që quhen “bashkëpunëtorët e drejtësisë”.

Të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë vendosen në dhoma me perimetër mbi 9 metra katrorë. Këto dhoma kanë edhe ndriçim të mjaftueshëm. Si mjet i sigurisë, dyert e secilës qeli janë me nga dy dyer; njëra për sigurinë e stafit dhe tjetra vendoset për shkak të kategorisë së të burgosurit.

Fadil Hyseni, udhëheqësi për Programe dhe Regjime, na tregoi më shumë për pavijonin numër një dhe na dha detaje edhe për dhomat e të burgosurve, dhomën e rekreacionit dhe programin e tyre ditor.

“Në orën 8 të mëngjesit hapen dyer dhe të burgosurit mund të dalin të shkojnë në dhomën e rekreacionit, ku ka televizor dhe mund të luajnë shah dhe lojën “Burrec mos u zemëro”, tregoi Hyseni.

Hyseni tregoi se të burgosurit kanë të drejtë të qëndrojnë në dhomën e rekreacionit nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 11:00. E më pas, mbyllen nëpër qelitë e tyre dhe u servohet ushqimi nëpër dhoma.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0