Ish-Shefi Gjykatës së UÇK-së: Të dënohen me burg veteranët matrapazë e hajna

Ish-Shefi Gjykatës së UÇK-së: Të dënohen me burg veteranët matrapazë e hajna

Ish-drejtuesi i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, i quan matrapazë dhe hajna të gjithë ata që e kanë fituar statusin e veteranit në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas tij këta persona i kanë bërë dëm të jashtëzakonshëm luftës së UÇK-së, dhe për këtë ata duhet të ndiqen nga Gjykata dhe të dënohen.

Në një prononcim për “Gazetën Express”, Dobruna ka thënë se i di të gjitha rreth fryrjes së listave të veteranëve, por për momentin ka vendosur që të heshtë.

Dobruna i cili tashmë ushtron profesionin e avokatit në Kosovë thotë se personat të cilët i kanë nënshkruar listat janë përgjegjës për gjithë skandalin me veteranët e rrejshëm.

“Qaj që i ka nënshkruar listat. Secili që i ka nënshkruar, gjendet në të gjitha listat. Komisioni mundet me i numëruar, p.sh sa nënshkrime janë të miat që i kam nënshkruar. Komisioni i di këto punë”, ka thënë Dobruna.
Sipas tij këta persona duhet të ndiqen nga i pari deri tek i fundit dhe të dënohen.

“Nuk e kisha lënë prej A deri në Zh pa i ndjek, e me i dënua Gjykata, e me i pagua të gjitha çka i kanë marrë, se fytyrën ia kanë marrë UÇK-së”, shprehet ish-drejtuesi i Gjykatës së UÇK-së.

Dobruna thotë se përmes këtij skandali me veteranët, po tentohet që të denigrohet lufta çlirimtare e UÇK-së, ashtu siç ka ndodhur në Maqedoni.

“ I ka bë dëm, por nuk do të kenë sukses. Qëllimi këtu është i krejt dikujt tjetër, Qëllim është sikur që e kanë bo në Maqedoni me UÇK-në, po mundohen fillim e mbarim me e denigruar luftën çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.

Në një prononcim për Gazetën Express, Dobruna thotë se e din thelbin e të gjithë skandalit me listat e fryra të veteranëve, por që për momentin ka vendosur të mos flas.

“Luftën e fillojnë ideologët, e përfundon arma dhe e shfrytëzojnë matrapazët, kjo është ne teori dhe në praktikë në krejt botën, kjo na ka gjet edhe neve, që në këtë gjendje që jemi me na vjedhë hajnat. Unë i di rrajtë ku janë, por tash për tash nuk kam ndërmend me fol”, ka përfunduar Dobruna.

Fillimin e hetimeve për listat e fryra të veteranëve nga Prokuroria e Shtetit e kishte konfirmuar drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në gusht të vitit të kaluar, pasi në zyrat e OVL-së hetues të krimeve ekonomike kishin kërkuar listat e veteranëve pas dyshimeve për manipulime me listat.

I gjithë skandali me listat e veteranëve u aktualizua vetëm pas një viti, kur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, konfirmoi se në draft-aktakuzën e prokurorit Elez Blakajt figurojnë rreth rreth 19 mijë persona e kishin fituar statusin e veteranit në mënyrë të jashtëligjshme.

COMMENTS

WORDPRESS: 0