Ish-prokurorja e EULEX-it tregon si mbeten të lirë serbët e dyshuar për krime lufte

Ish-prokurorja e EULEX-it tregon si mbeten të lirë serbët e dyshuar për krime lufte

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka thënë se deklarata e saj dhënë se si EULEX-i kishte dërguar të gjitha rastet e krimeve serbe të luftës në Kosovë, që të hetoheshin në Serbi, është e saktë.

“Më kanë pyetur për atë deklaratë që kam dhënë në një program të mëhershëm të RTK-së, kur kisha treguar se EULEX-i kishte dërguar të gjitha rastet e krimeve serbe të luftës që të hetoheshin në Serbi. Kjo është e saktë. Nuk i di numrat dhe emrat e rasteve, por e di se të gjitha rastet që e kishin një të dyshuar serb ishin kthyer në Serbi. Dhe arsyeja që ishte dhënë për këtë ishte se të dyshimtët ishin në Serbi dhe se Serbia nuk do t’i ekstradonte ata, andaj mënyra e vetme si këto raste mund të hetoheshin ishte që ato të ktheheshin në Serbi për hetime. Nuk mendoj se kjo ishte doemos e saktë”, ka thënë ajo, për RTK.

“Ka pasur mundësi të kërkoheshin rrugë alternative, që këto raste të trajtoheshin në një juridiksion neutral, që të sigurohej një lloj bashkëpunimi nga Serbia, që t’i lejonte të dyshimtët të gjykoheshin për krimet që i kishin kryer”.

Por, sipas saj, nuk janë vetëm këto raste që nuk janë hetuar kurrë.

“Kohëve të fundit kam kuptuar se një varg rastesh që kanë të bëjnë me viktima serbe ishin shqyrtuar nga Kolegji i EULEX-it për të Drejta të Njeriut dhe ata i kishin thënë EULEX-it t’i hetonte këto raste. Asnjëri nga këto raste nuk është hetuar. Kjo duket të jetë neglizhim i rëndë i detyrës. Është gabim në thelb, është në kundërshtim të çdo parimi të drejtësisë së natyrshme. Edhe viktimat kanë të drejtë për një gjykim të drejtë. Edhe populli i Kosovës e ka të drejtën të presë nga EULEX-i të sigurojë procese gjyqësore që janë të drejta dhe pa ndërhyrje politike. Thjesht, kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë ajo.

Prokurorja nga misioni i EULEX-it Maria Bamieh, i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0