Investitorë nga Danimarka interesohen për fabrikë duhani në Skenderaj

Investitorë nga Danimarka interesohen për fabrikë duhani në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur sot investitorët e huaj, Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen nga Danimarka, si dhe biznesmenin shqiptar, Naim Kadishani, ku temë e diskutimit ishte ndërtimi i fabrikës së duhanit, projekt në vlerë rreth 7 milionë euro, ndërsa numri i punëtorëve llogaritet të jetë nga 2.500 deri 3.000.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Skenderajt, nëpërmjet një njoftimi.

Jashari, siç bën të ditur njoftimi, i ka shoqëruar në Kryshec, afër pishinës, ku Komuna planifikon t’i ndajë tokë, meqë është në pronësi të saj, prej 3.5 hektarë, për ndërtimin e fabrikës, e cila gjithashtu do të ketë në shfrytëzim tokën për mbjellje të duhanit.

Gjatë diskutimit me investitorët, Jashari ka premtuar siguri të plotë për realizimin e këtij projekti milionësh, duke theksuar se është në interes të qytetarëve ndërtimi i fabrikës, pasi do të punësohej një numër i madh punëtorësh, thekson njoftimi.

Investitorët nga ana e tyre kanë treguar interesim të investojnë në Skenderaj, dhe janë befasuar me kushtet e ofruara për investime, si dhe tokën e cila planifikohet t’i jepet në shfrytëzim sipas legjislacionit në fuqi, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Skenderajt.

COMMENTS

WORDPRESS: 0