Inspektorati ka gjobitur disa furrtarë mashtrues

Inspektorati ka gjobitur disa furrtarë mashtrues

Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lulzim Syla ka konfirmuar se deri më tash Inspektorati ka gjobitur disa pronarë të furrave në gjithë vendin pasi kanë shitur bukë nën peshën e lejuar. Sipas tij, aksioni për kontroll të furrave do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, shkruan sot Gazeta “Zëri”. 

Pronarët e furrave në Kosovë, që kanë filluar t’i ngrenë çmimet e bukës, duhet të mendojnë edhe për gjobat që i presin. Inspektorati i Tregut, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj bizneseve të papërgjegjshme që kanë ngritur çmimet e bukës.

1 mijë euro është gjoba potenciale e cila mund t’u shqiptohet atyre në rast se nuk e shesin bukën sipas deklarimit ose peshës që përmban.

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë është duke vazhduar aksionin për monitorimin e çmimeve të bukës nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Kryeinspektori i Tregut në këtë institucion, Lulzim Syla, ka treguar për gazetën “Zëri” se kanë filluar edhe me shqiptimin e gjobave. Gjoba maksimale që mund t’u shqiptohet atyre sipas Sylës arrin deri në 1 mijë euro.

“Vetëm te buka kemi vërejtur ngritje. Ne jemi duke shikuar edhe peshën a është për konsumatorin a jo. A po shitet buka sipas deklarimit. Sot kemi një aksion në pjesën e Fushë Kosovës, pastaj kemi qenë edhe në Ferizaj, në Prishtinë, në Gjilan. Na ka mbetur Gjakova dhe Peja”, ka thënë Syla. Por atyre ende nuk u kanë arritur rezultatet. Të paktën kështu ka deklaruar kryeinspektori Syla.

“Ende nuk na kanë ardhur rezultatet edhe pse kemi dalë bashkë me Agjencinë e Metrologjisë. Me peshoren e tyre e kemi matur bukën. Ata e kanë matur, po presim rezultatet nga Agjencia e Metrologjisë. Ne kemi gjobitur kur kemi parë që s’e kanë peshën 400 gramë. Raste të tilla ka pasur në Prishtinë, në Fushë Kosovë, një ka qenë në Prizren. Ndaj tyre kemi marrë vendime sipas ligjit. I kemi dënuar me gjoba mandatore. 1000 është maksimumi i gjobës, tash jemi duke i bërë aktvendimet”, ka shtuar tutje ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeinspektorit të Tregut këto ngritje të çmimeve janë bërë vetëm te buka, ndërsa nuk ka pasur të njëjta edhe për produktet tjera. Ndërkohë ngritje të çmimeve të bukës janë vërejtur në Prishtinë, në Prizren, në Gjakovë, në disa fshatra të komunës së Klinës e në Podujevë.

Përfaqësuesit e kompanive nga Serbia po i ngrenë çmimet qëllimshëm

Ngritjen e çmimeve në treg pas vendosjes së taksës për produktet që importohen nga Serbia dhe nga Bosnja ekspertët e ekonomisë e kanë vlerësuar si manipuluese.

Sipas tyre, këtë ngritje po e bëjnë një pjesë e supermarketeve që janë përfaqësues të firmave nga Serbia dhe qëllimshëm po shkaktojnë turbulenca në treg.

Kështu është shprehur në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” eksperti i ekonomisë Naim Gashi.

“Ngritja e çmimeve pas vendosjes së taksës për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjës është spekulative dhe manipuluese. Nuk ka asnjë arsye ekonomike që të ketë ngritje të çmimeve. Të mos harrojnë se një pjesë e supermarketeve në Kosovë janë përfaqësues të firmave nga Serbia dhe ato për interesa të tyre po i ngrenë çmimet me qëllim që të shkaktojnë turbulenca në treg dhe ta vendosin Qeverinë përballë presionit për heqjen e taksës. Qeveria duhet ta mbajë taksën 10% në fuqi derisa nuk ka reflektim nga ana e Serbisë”, ka thënë Gashi.

Pronarët e bizneseve në Kosovë po presin nga tregtarët që të mos tentojnë të përfitojnë nga situata, por në këso rastesh ata po kërkojnë veprime nga ana e inspektorëve dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Pronari i kompanisë “Meka Hallall Food”, Burim Piraj, ka thënë për gazetën “Zëri” se duhet të ndëshkohen të pandërgjegjshmit në mënyrë që të mos e pësojnë qytetarët.

“Unë pres nga të gjithë tregtarët të jenë shumë të përgjegjshëm dhe të mos tentojnë të përfitojnë nga situata duke i rritur çmimet pa arsye, mirëpo nëse do të ketë raste të tilla autoriteti i Konkurrencës së bashku me inspektorët e tregut duhet t’i ndëshkojnë të papërgjegjshmit ashtu që të mos e pësojnë qytetarët në mënyrë të padrejtë”, ka sqaruar në mes tjerash Piraj.

Masa ndaj keqpërdoruesve për çmimet e ngritura kishte paralajmëruar edhe drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi.

Në një deklaratë dhënë më herët për gazetën, Prestreshi bëri të ditur se në rast të evidentimit të ngritjes së çmimit të bukës me procedura të përshpejtuara do t’i marrin masat konform ligjit.

“Në rast se ka prova që ka marrëveshje gojore ose me shkrim nga furrtarët në komunën e Prizrenit për rritjen e çmimit, atëherë Autoriteti me procedura të përshpejtuara do t’i marrë masat e duhura sipas ligjit. Dje kam kërkuar nga Dogana që të m’i ofrojë të gjitha informatat e produkteve që importohen nga Serbia e nga Bosnja dhe të gjitha ndërmarrjet që afarojnë me këto produkte me kusht që të bëjmë krahasueshmërinë e çmimeve nëse ka ndonjë ndikim”, pati thënë përfaqësuesi i AKK-së.

Kaçaniku: Furrtarët bëjnë marrëveshje për ngritje të çmimeve

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, është shprehur se me vendimin e fundit të disa furrave në Kosovë për ngritje të çmimit të bukës tregtarët kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë.

“Tregtarët dhe importuesit e kanë treguar fytyrën e vërtetë sepse me bukë nuk bëhet shaka. Mendoj se Autoriteti i Konkurrencës duhet ta monitorojë tregun, sepse mes disa furrtarëve, mes disa bukëpjekësve ka marrëveshje, monopolizim të një pjese të tregut. Qeveria dhe Ministria relevante është dashur para se të marrë vendimin t’i ketë parasysh edhe planet zëvendësuese, pasuese”, ka shpjeguar për gazetën “Zëri” Kaçaniku.

Sipas tij, Qeveria nuk ka pasur plane rezervë e me këtë qytetarët taksapagues po mbesin viktimat kryesore.

“Plan rezervë nuk kemi, megjithatë ka premisa të hakmarrjes te ky vendim që po na kushton tepër shtrenjtë dhe në këtë mënyrë po dëshmohet që Qeveria ka pasur parasysh të mbrojë një ekonomi dhe një treg që sipas standardeve të tregut nuk ekziston. Ne si qytetarë taksapagues po mbetemi viktimë”, është shprehur tutje.

Menjëherë pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjë e Hercegovinës ministri Endrit Shala, që drejton dikasterin e Tregtisë dhe të Industrisë, kërkoi publikisht nga prodhuesit dhe nga tregtarët që të përqendrohen në cilësinë e produkteve dhe të arrijnë standardin më të lartë që të mos ketë mëdyshje për konsum ditor. Ai në mes tjerash obligoi menjëherë Doganën e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë që të fillojnë me zbatimin e vendimit.

“Qytetarë, prodhues, importues e tregtarë ju ftoj të gjithëve t’i bashkohemi kauzës për zhvillim të vendit e për mirëqenie të popullit. Kërkoj nga prodhuesit të fokusohen më shumë në cilësi. Të arrini standardin dhe cilësinë më të lartë në mënyrë që qytetari i Kosovës të mos ketë mëdyshje për konsum ditor e të konsumojë prodhime vendore. Të bashkohemi të gjithë e të gjejmë zgjidhje kreative. Nuk është vetëm Serbia e Bosnja në këtë rajon”, u shpreh ministri publikisht.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0