INPO: Premtimet e Komunës së Prishtinës ndesh me interesin qytetar

INPO: Premtimet e Komunës së Prishtinës ndesh me interesin qytetar

Kuvendi Komunal i Prishtinës pritet që në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur për datën 26.12.2018 të marrë vendim për ndarjen e mjeteve ndërmarrjes publike lokale “ Pallati i Rinisë”, për pagesën e borxheve dhe pagesën e 20% për ndërmarrjen IMN KOSOVA”. Shuma që do të ndahet për të parën është 3,757,619.00€ dhe 2,515,845.00€ për të dytën.
Për këtë, Organizata INPO përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për këtë veprim të Komunës së Prishtinës, sidomos në aspektin e burimeve prej nga janë siguruar këto mjete financiare.

“Këto mjete janë siguruar nga projektet që kanë rëndësi esenciale për Komunën e Prishtinës dhe qytetarët e saj. Burimet financiare për këtë qëllim janë marr nga këto projekte: Shpronësime 450,000.00€, Kolektori dhe rruga mbi përroskën në lagjen Mat (1 dhe 2) 1,300,050.00€, Ndërtimi i kolektorit të lumit Prishtina dhe rruga mbi kolektor 700,00.00€, Tregu i qytetit 976,464.00€, Info qendrat turistike dhe implementimi i strategjisë së turizmit 100,000.00€, Hartimi i hartës zonale 100.000.00€, Galeria e Artit 150,000.00€, Ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj 2,447.000.00€”, thuhet në reagimin e INPO.

INPO, e cilëson vendimin e komunës në kundërshtim me parimet e mirëmenaxhimit të parasë publike, ngase:

Të gjitha mjetet që Drejtoria e Pronës i kishte në dispozicion për shpronësime janë huazuar, ndërsa nevoja për shpronësime është e jashtëzakonshme sa që projekti i kolektorit dhe asfaltimi i rrugës mbi përroskën në lagjen MAT, kanë dështuar si pasojë e problemeve pronësore. Ndërsa Komuna e Prishtinës me komoditet i përdor të njëjtat mjete për ndihmë të ndërmarrjeve publike. Nga ana tjetër qytetarët çdo ditë i vuajnë pasojat e dështimeve në ato projekte.

Në mbledhjen e njëmbëdhjetë Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi Strategjinë për Turizëm, ndërsa pakë ditë më vonë komuna i ridestinon 100,000.00 €, të cilat do të përdoreshin për zhvillimin e asaj strategjie. Kjo, gjithashtu e dëshmon qasjen e ekzekutivit e aktual.

Kanë mbetur edhe tetë muaj që të përfundoj harta zonale e Komunës së Prishtinës, ndërsa ekzekutivi nga ky plan shumë i rëndësishëm e sheh të arsyeshëm t`i ridestinoj 100,000.00€ në mënyrë që t`i paguaj borxhet e ndërmarrjeve publike.

Qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë nevoja të jashtëzakonshme për të cilat komuna nuk po arrin të gjej zgjidhje, ndërsa ndarja e mbi gjashtë milion eurove nuk do ta rregulloj asnjë problem të tyre.

“Organizata INPO i fton anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të mos e votojnë këtë vendim”, thuhet nder të tjera në reagim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0