Ikja e kosovarëve nga atdheu, përplas edhe koalicionin

Ikja e kosovarëve nga atdheu, përplas edhe koalicionin

Largimi nga Kosova është bërë temë përsëri. Ramush Haradinaj para pak ditësh mohoi largimin e kosovarëve, përderisa Kadri Veseli sot e pranoi se kosovarët po shkojnë jashtë . Ai theksoi se kjo nuk është mënyra për ta forcuar shtetin. Qëndrimet e shefave, i çuan më larg dy këshilltarët e tyre.  Halil Matoshi tha se ikja masive është rrenë në funksion të propagandës ruse. E më këtë  konstatim nuk u pajtua këshilltari Blerim Latifi i cili tha se problemet e Kosovës nuk mund të shpjegohen me idenë e konspiracioneve. Gazeta Express ka bërë disa fotografi te ambasadat, ka folur me disa qytetarë dhe ka marrë disa qëndrime të tyre në rrjetet sociale. Të gjithë fajësojnë politikanët.

“Tre kolegë kanë shku me punu molera në Slloveni, sivjet në pranverë. Minimum pesë euro ju paguhet ora”, tha sot një taksist.

Fjalinë e vazhdoi duke thënë se shtetin po e braktis rinia. Të mirën në këtë situatë të keqe ai e gjente kur thoshte, “ndasht le ta shohin politikanët se çka po bëjnë”. Gjatë bisedës ky burrë i moshës së mesme thoshte se po të kishte mundësi sot do t’i paketonte valixhet.

“Një ditë nuk kishe këmbën ku e lëshon para Ambasadës Gjermane”, tha ky taksist teksa bisedonte me Gazetën Express.

Megjithatë, dita e sotme nuk ngjasoi me ditën që taksisti e përmendi, sepse sot para Ambasadës Gjermane pati grup-mosha të ndryshme që prisnin për viza, por nuk pati radhë të gjata, mbase edhe për shkak se ishte vonë.

Sot para Ambasades Gjermane ne Prishtine

Sidoqoftë, braktisja e vendit nga qytetarët po ndodh çdo ditë në Kosovë. Përveç ikjeve ilegale, kjo po bëhet edhe përmes marrjes së vizave të punës, turistike…etj, ku më pas qytetarët po gjejnë zgjidhje për ta vazhduar jetën në vende të ndryshme të Europës. Mediat po raportojnë për një eksod të ri në vendin tonë si ai i vitit 2014, por qeveritarët po e zbusin.

Deri më tani është e konfirmuar se vetëm Ambasada Gjermane gjatë vitit 2018 lëshoi 38 mijë viza e kaq do t’i japë edhe sivjet.

Se qytetarët po ikin nga vendi po e shprehin edhe vetë publikisht. Qytetarët që po ikin janë kryesisht nga Prizreni, Vitia, Podujeva…etj. Ata po shkojnë në shtetet që po ofrojnë punë si në Gjermani e Slloveni.

Sot para Ambasades Sllovene ne Prishtine

“Shpresat për një jetë më të mirë këtu, tashmë përfundimisht janë shuar”, tha personi që ka luftuar për lirinë e Kosovës, Xhevqet Qeriqi, me ç’rast edhe paralajmëroi ikjen porsa ta marrë vizën.

E, qytetari tjetër Pajtim Qovanaj, njoftoi në Facebook se po ikën nga vendi për shkak të politikës së mbrapsht. “Ju lumtë pushtetarë ju që po na zbrazni e po e leni Kosovën vetëm me pleq”, tha ky i ri.

Edhe një i ri nga Prizreni ditë më parë shkroi se po ikën për Slloveni. Tha se kur po është fushata elektorale politikanët po i shkojnë në shtëpi por pasi po i marrin votat nuk po i njohin më.

” A shkon keshtu me ket qeveri mja kthy shpinen nanes babes deri kur me kta q…! kur t vjen koha e votav na vin naper hoda kur t kryen zgjedhjet mo 4 vjet nuk na njofin . Na detyrun me ik me leshhu kosoven. mja kthy shpinen familjes mi lan vetem pleqt ne kosov 😞😢”” Çlirim Krasniqi

Edhe M. Berisha shkroi se migrimi është alternativë e vetme pak para se të nisej për kurbet.

“Pas 20 viteve Kosova do të ketë më pak se 1 milion banorë brenda! Me kleptokrat nuk ka përparuar asnjë vend në botë!

Ndërtimi i shtetit kërkon dije, lufta kërkon guxim! Me guxim dhe dije mund të çlirohet një vend. Me guxim dhe pa dije shkatërrohet!

Në Kosovë injoranca ka zaptuar vendet udhëheqëse, prandaj përparimi është i pamundshëm, kurse emigrimi është alternativë e vetme!

Kështu duket stacioni autobusave në Prizrenin tonë mjerisht.😓”

Së fundmi kjo temë ka bërë copash pushtetin me opozitën dhe shoqërinë civile. Deputeti i VV-së tha se vetëm nga Prizreni janë më shumë se 2 mijë nxënës që e kanë braktisur vendin. Për këtë deklaratë Gazeta Express ka marrë të dhëna zyrtare nga MASHT se sa nxënës e kanë braktisur shkollimin vjet dhe sivjet.

Për një gjysmëvjetor shkollor ai 2018/19 shkollat e Kosovës i kanë braktisur afro 1 mijë nxënës. Ndërsa në komplet vitin shkollor 2017/2018 afro 2 mijë nxënës i braktisën shkollat, për shkak të migrimit me prindërit e tyre kryesisht në vendet e BE-së. Këto shifra i ka dhënë Ministria e Arsimit për Gazetën Express.

E numri më i madh i nxënësve është i atyre të klasës 10-12. Ndërsa i atyre prej klasës 1-9 është më i vogël.

“768 janë meshkuj dhe 224 femra që gjithsej përbën numrin 992”, tha MASHT.

Ndërsa nga numri i nxënësve (1870) që e braktisën vjet shkollimin 1420 meshkuj dh 450 femra.

Mirëpo, për ikjen e qytetarëve, njëri prej këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi po thotë se është lajm i rremë që sipas tij po bëhet me para të Rusisë.

“Ikja nga Kosova dhe ndikimi rus

(Ikja kinse masive nga Kosova âsht ose rrenë për përfitime politike ose propagandë – Fake Neës- për interesat ruse në rajon…)”. ka thënë Matoshi.

Por, nga ky postim Matoshi ka marrë reagime të ashpra nga qytetarët dhe figura të njohura publike.

Blerim Latifi këshilltar i kryeparlametrarit Veseli, i tha sot Matoshit “koha me pa veten në pasqyrë”.

Se ikje masive po ka, e ka konfirmuar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli kur një ditë kritikoi ashpër BE-në.

“Po na i merrni me mijëra të rinj por liberalizimin nuk po na e jepni…!”, tha ai.

Ndërsa, sipas një raporti të lëshuar nga MPB, u tha se rreth 170 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës. E kjo shifër u arrit brenda pesë viteve./Gazeta Express

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0