I pensionuari vazhdon vullnetarisht mësimin në Prizren, Komuna s’e ka zëvendësuar

I pensionuari vazhdon vullnetarisht mësimin në Prizren, Komuna s’e ka zëvendësuar

I pensionuar dhe pa asnjë kompensim nga shteti, mësimdhënësi i klasave të ulëta, Ismet Thaqi, ka vendosur që ta ushtrojë profesionin e tij edhe pas pensionimit.

Pasi që Drejtoria e Arsimit dështoi disa herë në gjetjen e një kandidati për klasën e vetme të parë të shkollës fillore të mesme të ulët në fshatin Caparc të Prizrenit, mësimdhënësi Ismet Thaqi është ofruar pa asnjë kompensim t’u japë mësim këtyre nxënësve, raporton KTV.

E fëmijët të cilët që nga shtatori i këtij viti janë me këtë mësimdhënës, nuk dëshirojnë që mësimdhënësi t’u ndërrohet.

Derisa drejtori i shkollës, Zef Spaqi, thotë se ka më shumë se 6 muaj që e ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit se kjo klasë do të mbetej pa mësimdhënës, por çështja në fjalë nuk u zgjidh.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaci-Vezgishi përmes telefonit ka thënë se është e informuar me këtë problem dhe që deri në gjysmëvjetorin e dytë pritet të ndërrohet mësuesi.

Sipas nenit 67 të Ligjit të Punës, marrëdhënia e punës duhet të ndërpritet kur i punësuari mbush moshën e pensionimit, pra 65 vjet.

COMMENTS

WORDPRESS: 0