Humori i radhës: “Ambasadori” i Hashim Thaçit i dorëzon çmim Lutfi Hazirit

Humori i radhës: “Ambasadori” i Hashim Thaçit i dorëzon çmim Lutfi Hazirit

E hëna e 2 korrikut për Lutfi Hazirin filloi me pompozitet dhe me një lajm që askush nuk e kishte pritur. “Ambasadori” Otto von Feigenblatt i kishte dorëzuar atij një Çmim për Arritje Jetësore (ang. “Lifetime Achievement Award”), i nënshkruar nga Presidenti i SHBA-së, dora vetë.  Mirëpo redaksia e EkonomiaSot ka hulumtuar rreth kësaj çështjeje dhe ka ardhë në përfundimin që çmimi i pranuar nga Lutfi Haziri është mashtrim.

Haziri në një postim të tij në Facebook nuk harroi të falënderonte Presidentin Trump, por edhe “ambasadorin Dr. Otto F. Von Feigenblatt”. Gjëja e parë që bie në sy, është titulli “ambasador” i  personit që i’a ka dorëzuar cmimin Hazirit, gjë që len të kuptohet se ky person duhet të jetë përfaqësues diplomatik nga Shtëpia e Bardhë.

Mirëpo pas një shfletimi të biografisë,  kuptohet që në fakt ky njeri nuk është ndonjë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e quan veten “ambasador” sepse këtë titull e ka marrë nga vetë Republika e Kosovës.

Këtë titull Otto von Feigenblatt e ka pranuar nga kush tjetër pos Presidentit të Republikës Hashim Thaçi. Në foton më poshtë shihet Presidenti Thaçi duke emëruar Otto von Feigenblatt-in “Ambasador Nderi” të Kosovës.

Presidenti Thaçi duke i dorëzuar çmimin”Ambasador Nderi” Otto von Feigenblatt

Pra një “Ambasador Nderi” i Kosovës, i emëruar nga Presidenti Hashim Thaçi, shpërndan çmime që ipen nga Presidenti i SHBA-ve. Ky fakt mjafton që çmimi i pranuar nga Haziri të merret me dyshim.

Pikësëpari, po të ishte ky një çmim që ipet nga Presidenti i SHBA-ve, kjo patjetër se do të kalonte përmes Ambasadorit të vërtetë të SHBA-ve në vendin tonë, pra Ambasadorit Greg Delawie. Redaksia ka tentuar të marrë një koment nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se 4 korriku është ditë feste për ambasadën. Megjithatë, as në webfaqen e ambasadës nuk ka ndonjë lajm apo njoftim në lidhje me këtë çmim.

Së dyti, EkonomiaSot mëson se çmimi “Lifetime Achievement” është themeluar me dekret në vitin 2002 nga Presidenti George W. Bush, dhe ipet për shtetasit amerikanë që kryejnë punë vullnetare në Amerikë. Lutfi Haziri ndoshta mund të jetë shtetas i Amerikës, gjë për të cilën redaksia nuk është në dijeni, por është e pamundur të ketë përmbushur kriterin e punës vullnetare.

Për t’u kualifikuar si pranues i këtij çmimi, personi i nominuar duhet të ketë së paku 4,000 orë pune, gjë që thuhet edhe në shkresën të cilën gjoja e ka pranuar Haziri. Nëse përkthehen në ditë, 4,000 orë bëjnë së paku 500 ditë pune me nga 8 orë, që i bie se për të pranuar këtë çmim Lutfi Haziri është dashur të ketë së paku 2 vite punë vullnetare në Amerikë. E kjo gjë nuk ka ndodhur.

Dokumenti që thekson se për të pranuar këtë cmim, personi i nominuar duhet të ketë bërë së paku 4,000 orë pune.

Dilema e vetme mbetet nëse Lutfi Haziri vërtet është mashtruar nga Otto von Feigenblatt me këtë çmim fallco, apo edhe ai vetë ka qenë pjesë e këtij mashtrimi. Megjithëse kanë kaluar disa vite, të gjithëve na kujtohet rasti i Mujë Rugovës, asokohe Rektor i Unversitetit të Prishtinës, i cili kishte paguar 4,000 euro për të blerë një cmim të tillë për UP-në. /EkonomiaSot

Vazhdon: Kush është Otto von Feigenblatt dhe si arriti të bëhet Ambasador Nderi i Kosovës?

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0