Hoxhiq: Ka lëvizje të lirë të shqiptarëve në veri

Hoxhiq: Ka lëvizje të lirë të shqiptarëve në veri

Situata e përgjithshme në veri të Mitrovicës është e qetë, por e ndjeshme, andaj duhet vëmendje e shtuar në atë pjesë, sidomos në zonat e banuara me popullatë të përzier.

Kështu ka thënë për Telegrafin, drejtoresha e Administratës në Komunën e veriut të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq.

Sipas saj, falë mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me organizatën DRC, si dhe ambasadës britanike në Kosovë, rreth 20 familje shqiptare janë kthyer në qendër të veriut të Mitrovicës deri tani dhe lëvizja e qytetarëve është përmirësuar dukshëm.

“Dal shpesh në Mitrovicën Veriore dhe po ju siguroj se përveç serbëve në shëtitoren kryesore ka edhe shqiptarë nga jugu të cilët dalin e shëtisin dhe flasin shqip. Unë i kam dëgjuar vetë. Nuk po them se është situatë e kënaqshme, por ka lëvizje të lirë të shqiptarëve në veri. Ata janë kryesisht njerëz të cilët nuk duan të merren me politika të larta”, ka thënë Hoxhiq.

Ajo ka përmendur poashtu mbështetjen e madhe komunale për institucionet dhe qytetarët e asasj pjese pa dallim.

“Para dy javësh kemi dërguar donacione, duke përfshirë lap-top, printerë, inventar të ndryshëm për nxënës etj, në shkollën ‘Aziz Sylejmani’ që ndodhet në ‘Kodrën e Minatorëve’ në veri të Mitrovicës. Këtë objekt shkollor e patëm rinovuar kohë më parë, ndërsa kemi ndihmuar edhe ambulancën e kësaj lagje me një veturë dhe vozitës. Kemi punuar poashtu shumë edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve më të mira për qytetarët e asaj pjese në përgjithësi”, theksoi Hoxhiq, duke përmendur asfaltimin e rrugëve, ndriçimin dhe të ngjashme.

Ajo ka apeluar tek institucionet qendrore që të kontribuojnë më shumë për bashkëjetesën në këtë pjesë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0