Hoxha: Vizat hiqen sivjet

Hoxha: Vizat hiqen sivjet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur e bindur se Bashkimi Evropian këtë vit do t’i heqë vizat për Kosovën. Sipas saj, pas rekomandimit që do të jepet nga Komisioni Evropian këtë muaj, i cili beson se do të jetë pozitiv, nevojiten 3-6 muaj kohë për t’i përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme në Parlamentin Evropian, si dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së

Me publikimin e rekomandimit nga Komisioni Evropian (KE), i cili do të ndodhë në fund të këtij muaji, do të bëhet e qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, e cila në një intervistë për “Zërin” është shprehur e bindur se ky proces do të finalizohet përgjatë këtij viti.

Sipas të parës së MIE-së, nga dita e marrjes së sinjalit pozitiv për liberalizim nga KE-ja procedurat e miratimit në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave mund të marrin kohë 3 deri në 6 muaj.

Lidhur me çështjen e vizave ajo ka bërë të ditur se si ministre bashkë me krerët e tjerë institucionalë janë duke lobuar te vendet që janë skeptike rreth liberalizimit për Kosovën.

Ndërkohë, ka vlerësuar se pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet nuk paraqesin asnjë pengesë në procesin e liberalizimit.

“Pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë nuk do të mundë ta pengojnë as liberalizimin e as procesin tonë integrues”, ka theksuar Hoxha

COMMENTS

WORDPRESS: 0