Hoxha: Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave është çështje ditësh

Hoxha: Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave është çështje ditësh

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka thënë se gjatë vizitës së saj në Bruksel ka arritur të sigurojë përkrahje për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një konferencë për media, ministrja Hoxha ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar që këtë proces ta përfundojë para zgjedhjeve që do të mbahen për institucionet e BE-së vitin e ardhshëm.

“Të gjithë janë të interesuar që kjo çështje të përfundojë para zgjedhjeve, dhe me këtë rast pra nënkuptohet që viti 2018 të jetë viti kur këto procedura për procesin e liberalizmit të përfundojnë”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka thënë se pret rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, duke shtuar se nuk është përmendur asnjëherë shtyrja e publikimit të këtij rekomandimi.

“Rekomandimi pritet që të dalë qoftë në ditët e fundit të qershorit, apo në javën e parë të korrikut”, ka thënë ajo.

Ajo ka ripërsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

“Fillimisht ne veç kemi pasur një rekomandim, pra në maj të vitit 2016 e kemi pasur rekomandimin. Dhe tani është vetëm një rekomandim final, ta quaj, i cili do të reflektojë dhe punën e misionit faktmbledhës që ishte në Kosovë në fillim të majit”, ka thënë Hoxha.

Ajo tha se synimi i vizitës në Bruksel ishte që të sigurohej që procesi i vendimmarrjes në raport me Kosovën të mos ketë vonesa të reja. (rel)

COMMENTS

WORDPRESS: 0