Hoti: Ky koalicion qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova

Hoti: Ky koalicion qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se koalicioni aktual qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ai thotë se LDK-ja do të vazhdojë të intensifikojë opozitarizmin demokratik, transmeton Koha.net.

Hoti shton se një opozitarizëm i tillë, i ngjeshur dhe i fokusuar në çështje që preokupojnë qytetarët, ka bërë që LDK-ja të renditet partia e parë në disa hulumtime të njëpasnjëshme të opinionit publik gjatë vitit 2018.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e tij:

Që nga fillimi i kësaj legjislature të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Grupi Parlamentar i LDK-së ka qenë grupi më aktiv me deklarime, debate dhe interpelanca.

Nga 18 debate të ngritura në Kuvend gjatë kësaj legjislature, 9 janë ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së lidhur me gjendjen në arsim, politikën e jashtme, dialogun me Serbinë etj. Nga 15 interpelanca, 7 janë ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së për të trajtuar sigurinë, shëndetësinë, mirëqenien dhe zhvillimet politike. Kuvendi ka formuar 3 komisione hetimore parlamentare, prej të cilave 2 me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së. Grupi Parlamentar i LDK-së ka ngritur 35 çështje në seancat e rregullta dhe ka shtruar 84 pyetjet parlamentare, megjithëse shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje për shkak se Kryeministri dhe ministrat nuk marrin pjesë në seancë. Kjo ka pamundësuar kontrollin e ekzekutivit nga Kuvendi.

Për krahasim, bazuar në vlerësime të organizatave që mbikëqyrin punën e Kuvendit të Kosovës, në disa legjislatura të Kuvendit marrë së bashku nuk ka pasur kaq shumë angazhim parlamentar opozitar. Një opozitarizëm i tillë, i ngjeshur dhe i fokusuar në çështje që preokupojnë qytetarët, ka bërë që LDK-ja të renditet partia e parë në disa hulumtime të njëpasnjëshme të opinionit publik gjatë vitit 2018.

Kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës është duke u përballur me vështirësi. Gjatë vitit 2018 është realizuar vetëm 1/3 e programit legjislativ. Ligjet e miratuara kanë qenë rezultat i angazhimit të opozitës. Në sesionin vjeshtor të Kuvendit (shtator-dhjetor 2018) janë mbajtur 11 seanca. Të gjitha këto seanca kanë mbetur të hapura, që reflekton mungesën e legjitimitetit të këtij koalicioni. Përplasjet dhe fjalori jo parlamentar në Kuvend, që janë imponuar nga koalicioni qeverisës, janë bërë normë e punës të Kuvendit.

Është vlerësim i përgjithshëm se ky koalicion qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova. I formuar me koncesione jo parimore ndaj partnerëve të vegjël dhe grupeve të interesit që janë bërë pjesë e qeverisë, ky koalicion është jo përfaqësues. Ndërkaq, funksionimi dhe vendimmarrja brenda tij karakterizohen me qasje ad-hoc, jo programore, të motivuar nga interesa të ngushta politike dhe të grupeve të interesit.

Qeveria është më e madhja në botë. Kryeministri ka 35 këshilltarë dhe 5 zëvendëskryeministra, të cilët kanë 55 këshilltarë. Disa nga zëvendëskryeministrat përfaqësojnë vetëm interesa të caktuara, pa fuqi politike në Kuvend dhe pa mbështetje qytetare. Qeveria ka 21 ministra, të cilët kanë 147 këshilltarë. Janë emëruar rreth 80 zëvendësministra, të cilët kanë rreth 80 këshilltarë, si dhe disa koordinatorë nacionalë. Të gjithë këta vetëm për të akomoduar interesat e qeverisë që ka 24 parti, të cilat përfaqësojnë vetëm 1/3 e elektoratit. Problem në vete është se rreth 1/3 e ministrave janë nën aktakuzë. Kryeministri është i dobët pasi vjen nga partia e pestë për nga fuqia e votës në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë vitit 2018 një goditje iu dha ligjit dhe të drejtave njerëzore me dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Komisioni hetimor parlamentar, i formuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, që po e heton këtë çështje, po përballet me vështirësi pasi zyrtarët shtetërorë nuk po përgjigjen në kërkesat e Komisionit.

Presidenti i vendit është akuzuar nga ish këshilltarë të tij ndërkombëtarë për borxhet e papaguara ndaj tyre. Këto akuza kanë ngritur dyshime për përdorim të parasë publike për qëllime private. Një Komision hetimor parlamentar, edhe ky i krijuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, e ka hetuar këtë çështje dhe e ka dorëzuar raportin në Kryesinë e Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë.

Vendimet jo ligjore janë bërë përditshmëri e punëse së Qeverisë, siç janë: (i) ndarja e mjeteve buxhetore pa bazë të qartë ligjore; (ii) rritja e pagave për kabinetin qeveritar në kundërshtim me ligjin për financat publike dhe vendimin e Agjencisë Antikorrupcion të Kosovës se kjo paraqet konflikt interesi; (iii) falja jo ligjore e taksave të ndërmarrjeve private, (iv) emërimet dhe shkarkimet jo ligjore të zyrtarëve të ndërmarrjeve publike dhe institucione të ndryshme etj.

Në anën tjetër, çështjet e rëndësisë së veçantë ku kërkohet përkushtim, vendosmëri dhe konsensus nacional kanë marrë drejtim të gabuar. Dialogu me Serbinë po ndodh pa konsensusin e nevojshëm në mes të forcave politike, i udhëhequr nga përfaqësues politik të pa legjitimitet dhe nga bartës të institucioneve që veprojnë përtej mandatit të tyre kushtetues. Ekipi negociator i formuar në dhjetor 2018, Presidenti dhe Kryeparlamentari japin vlerësime kontradiktore për marrëveshjen e mundshme me Serbinë. Njëri thotë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, tjetri se do të bashkohet Lugina e Preshevës. Njëri thotë se do të ketë shkëmbim të territoreve, e tjetri se do të respektohet Kushtetuta. Njëri thotë se nuk do të humbim asgjë, e tjetri thotë se marrëveshja do të jetë e dhimbshme. Njëri thotë se në fund vendos Kuvendi, e tjetri thotë se vendoset me referendum. Për të gjitha këto çështje, me iniciativën e Grupit Parlamentar të LDK-së, opozita ka dërguar dy letra tek përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini.

Reformat në arsim e shëndetësi nuk janë në rend dite të kësaj qeverie, siç nuk është as zhvillimi ekonomik. Siç është provuar në një debat parlamentar të zhvilluar në Kuvend me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Programi Qeverisës 2017-2021 është dokument i pavlerë pasi nuk merret parasysh në asnjë veprim të Qeverisë. Në shëndetësi gjendja nuk ka qenë asnjëherë më keq. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian konstaton se gjendja sa i përket papunësisë në Kosovë gjatë vitit 2018 është përkeqësuar. Rangimi ndërkombëtar i Kosovës në kushtet e të bërit biznes është përkeqësuar gjithashtu. Investimet e jashtme gjatë vitit 2018 janë përgjysmuar krahasuar me vitin paraprak. Ministri i Bujqësisë ka miratuar udhëzime diskriminuese për grantet për bujqësi, ku bujqve në komunat në veri shteti ju mbulon 90 për qind të investimeve, ndërkaq në komunat e tjera vetëm 50 për qind. Qeveria u involvua në veprime jo ligjore, duke kaluar pronat e AKP-së në pronësi të komunave me shumicë serbe.

Viti 2018 është mbyllur pa buxhet të miratuar që pamundëson fillimin e projekteve kapitale, me grevën e minatorëve dhe me grevë në shëndetësi. Z.Haradinaj e harroj korrigjimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të cilën premtonte ta bëjë për tre muaj.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, viti 2018 u mbyll pa liberalizim të vizave, me dështim të anëtarësimit në Interpol, pa shtim të njohjeve ndërkombëtare dhe me skandale diplomatike të Ministrit të Jashtëm.

Përpjekjet e opozitës që përmes metodave kushtetuese të luajë rolin mbikëqyrës ndaj pushtetit po hasin në arrogancë dhe indiferencë të pushtetit. Kryeministri dhe ministrat rrallë marrin pjesë në seanca të Kuvendit për tu përgjigjur në interesimet e deputetëve. Në shumë raste, ministrat nuk paraqiten në komisione parlamentare dhe përdorin gjuhë jo parlamentare ndaj kërkesave të opozitës. Në fillim të muajit korrik 2018, Kryeministri ka takuar në zyrën e tij personin që përflitet si përgjegjësi kryesor për dhunën, krimin e korrupsionin në veri të vendit.

Karshi kësaj situate, Grupi Parlamentar në konsultim me strukturat udhëheqëse të LDK-së po ndërmerr hapa në Kuvend për të ndaluar këtë model të qeverisjes. Nga shtatori 2018, ne kemi përdorur fuqinë e votës tonë për të pamundësuar kuorumin në seancat e Kuvendit me qëllim të dëshmimit para qytetarëve pafuqinë dhe mungesën e legjitimitetit të këtij koalicioni për të qeverisur. Ne do të vazhdojmë më tutje me hapa të tjerë për të ndaluar këtë qeverisje.

Ne do të intensifikojmë opozitarizmin demokratik sipas filozofisë politike të LDK-së, por nuk do të kursehemi nga përdorimi i çdo mjeti demokratik për të ndalur këtë lloj qeverisjeje të vendit. Ne do të luajmë rol aktiv në koordinimin e opozitës, pasi ky rol i takon LDK-së si partia më e madhe në vend dhe Grupi më i madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Ne jemi të vendosur në rrugën tonë për të ndaluar degradimin institucional të Republikës së Kosovës që po i bënë ky koalicion i pakicës dhe jo legjitim. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë për ruajtur liritë qytetare, demokracinë e re në Kosovës dhe miqësinë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë si gardianë të shtetit të Kosovës.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0