Hoti: Kudo që përzihet Thaçi s’ka unitet

Hoti: Kudo që përzihet Thaçi s’ka unitet

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se tryeza e thirrur nga LDK-ja nuk ka lidhje me ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për unitet.

“Është mirë të vlerësohet vullneti i partive politike për të qenë në një tryezë. Tendenca jonë nuk lidhet me presidentin Thaçi. Kudo që është përzier ai njeri nuk ka pasur unitet. Ai njeri është mirë të qëndrojë larg”, ka thënë Hoti në televizionin publik.

Tutje ai ka thënë se ka një pajtueshmëri për debat mes subjekteve politike, për konsumim të debatit, dhe për të nxjerrë vendin nga kriza. “Unë besoj që me dy-tri tryeza e dimë gjendjen”.

Hoti ka deklaruar se subjektet politike ose duhet të takohen në tryezë dhe të dakordohen për tema strategjike deri në caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, ose ata si LDK do të shkojnë me mocionin e mosbesimit.

Sipas Hotit, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për të dal nga kjo situatë, ku koalicioni qeverisës nuk i ka 61 vota.

“Jemi në një situatë krize politike në vend, asnjë temë nuk mund të debatohet pa u zgjedhur çështja kryesore, pasi nuk mundet vendi të qeveriset me kryeministër që nuk i ka 61 vota”, tha Hoti.

Ai ka mohuar se do të merrte pjesë në një qeveri teknike dhe në asnjë format në këtë qeverisje.

Përndryshe, nëse LDK ngrit mocionin e mosbesimit dhe qeveria nuk merr 61 vota, atëherë vendi brenda 45 ditëve shkon në zgjedhje.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0