Heroi Agimi Ramadani, simbol i bashkimit të shqiptarëve

Heroi Agimi Ramadani, simbol i bashkimit të shqiptarëve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e ushtarë të Betejës së Koshares në akademinë përkujtimore në 19 vjetorin e rënies së luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani e vlerësuan lart figurën e tij, duke e cilësuar si njeri të artit, me vizion politik, por pa parti e ideologji.

Presidenti Thaçi në këtë akademi përkujtimore tha se heroi Agim Ramadani ishte i qartë sa i përket çështjes së luftës. Ai tha se heroi Ramadani ishte i qartë se Kosova nuk lirohet pa luftë të armatosur.

Presidenti tha se me Agim Ramadanin ishte takuar disa herë jashtë vendit dhe në Shqipëri.

“Me Agim Ramadanin u takova disa herë jashtë vendit por edhe në Shqipëri, para dhe gjatë luftës. Ai ishte njeri me vizion politik, i artit, shëmbëlltyra e njeriut. Ishte pa parti, ideologji”, ka thënë Thaçi.

“Me Sali Çekajn u takova në Shqipëri… Ishte njeri i urtë por i vendosur për luftë çlirimtare. Me Xhemajl Fetahun e takova shpesh. Ai qysh si nxënës kishte dëshmuar përpjekjet për lirinë e Kosovës. Ai kishte vendosmëri të çeliktë për çlirimin e Kosovës. Me Abaz Thaçin, ishim rritur në një mjedis të përbashkët. Prandaj nuk kishte qysh të ndodhte ndryshe përveç që Abazi të binte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti.

Ai tha beteja e Koshares dhe e Pashtrikut tregoi se UÇK-ja ishte e gatshme për operacione ushtarake e frontale. Ai tha se me betejën e Koshares u shemb kufiri që  ndante tokat shqiptare.

E kryeministri Ramush Haradinaj tha se në Betejën e Koshares kanë qenë luftëtarët më të zotët, duke përfshirë edhe luftëtarë të huaj.

“Janë njerëz që kanë kaluar edhe burgjet, edhe persekutimet edhe etiketimet po s’kanë hjek dorë nga dashuria për atdheun”, tha Haradinaj.

Ai tha se shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenar, kanë pasur luftëtarë unik e intelektual, por edhe pse brumosjen për liri nuk e kishin të lehtë.

Ndërkaq, bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, Anton Çuni, nga Brigada 138 tha se nuk e kanë të lehtë të flasin për shokët e rënë në betejat për liri.

Ai tha se Agim Ramadani shpesh vlerësohet si vet gjaku i Skënderbeut, kala i pamposhtur, e udhëheqës i valles së lirisë.

Quni tha se Agim Ramadani ishte dhuratë nga Zoti, ndërsa përmendi edhe rastin kur heroi Agim Ramadani ia kishte huazuar pushkën një ushtari të tij.

Në këtë akademi përkujtimore foli edhe vajza e heroit Agim Ramadani, Lorina Ramadani.

Ajo tha se shpreson se udhëheqësit e shtetit do të bëjnë më të mirën që ta ruajnë gjakun e derdhur dhe amanetin për krijimin e shtetit aq siç e dëshiruan heronjtë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0