Haziri: Së shpejti koalicioni me VV-në

Haziri: Së shpejti koalicioni me VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në parim, koalicioni me Vetëvendosjen ka ndodhur, por po diskutohen vetëm detajet e marrëveshjes.

E ka konfirmuar takimin e së premtes mbrëma ndërmjet ekipeve të LDK’së dhe Vetëvendosjes, por s’e ka treguar vendin ku i shtrënguan duart Isa Mustafa e Albin Kurti.

“Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor”, ka thënë Haziri, në një intervistë ekskluzive për Express.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se dy partitë tash kanë mbetur t’i zhvillojnë konsultimet për t’u ulur në një takim të ri dhe për ta nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Qeverisë së re.

“LDK s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin, ndërsa ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit”, ka thënë Haziri në një intervistë për Express.

Njeriu i dytë në LDK për një kohë s’ka dalë në publik pasi i ka pasur disa probleme shëndetësore që tashmë i ka tejkaluar.

Lutfi Haziri ka folur edhe për fushatën që dikur Vetëvendosja ia bënte atij dhe tash Agim Veliut. Ka thënë se partia e themeluar nga Ibrahim Rugova asnjëherë s’do të shndërrohet në plastelinë e as trampolinë për dëshira të asnjë partie e individi.

“Por nuk do të lejojmë që LDK’në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK’ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët“, ka shtuar Haziri.

Express: Parmbrëmë u raportua se ndodhi një takim i Isa Mustafës me Albin Kurtin. U tha se takimi u zhvillua në shtëpinë e tij, por më vonë doli se kishte ndodhur në periferi të Prishtinës dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje të qëndrimeve. Cila është e vërteta?
Lutfi Haziri: Mund t’ju konfirmoj se takime të rregullta ka pasur. Por shumica e madhe e takimeve kanë qenë publike. Ka pasë takime edhe takime jopublike dhe komunikim në përpjekje për ta finalizuar marrëveshjen e koalicionit të pritur LDK-VV. Kjo është fakt dhe përpjekjet janë angazhim i përbashkët i dy liderëve dhe i ekipeve, sepse formati i takimeve ka qenë në takime ekipore, të mbështetura nga tre apo katër anëtarë të mandatuar të strukturave të partive për ta lehtësuar marrëveshjen.

Express: Ku është ngecja nga takimi i fundit? A po vazhdon të mbetet problem pozita e Kryeparlamentarit?
Lutfi Haziri: Nuk shoh ngecje por takim të vlefshëm, i cili ka arritur ta ngritë bisedën në përafrim të arritjes së marrëveshjes në kuadër të parimeve për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje. Parimet, ju e dini, janë të lidhura me balancim të përgjegjësive kushtetuese në institucione të shtetit. Në këtë rrafsh, LDK’ja s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin. Ndërsa, ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit. 26 dhjetori ka sjellë një situatë të re dhe jemi në përpjekje e sipër për të tejkaluar në mënyrë që LDK’ja me qenë e rehatshme në koalicion, duke e marrë një detyrë kushtetuese deri në zgjedhjen e Presidentit, që parashihet të ndodhë në shkurt të vitit 2021.

Express: Cili ishte pozicioni i z. Kurti lidhur me qëndrimin e LDK’së se i përket pozita e Kryetarit të Kuvendit dhe a ka dhënë shenja se mund të lëshojë këtë pozitë?
Lutfi Haziri: Nuk ka të bëjë me lëvizje të qëndrimeve as nga LDK’ja dhe as nga VV’ja. Ka të bëjë me nevojën që të diskutohen të gjitha anët e marrëveshjes. Të gjitha anët e marrëveshjes nënkupton që të balancohet, vlerësohet dhe shtrihet ky rol karshi detyrave dhe programit qeverisës që pritet me u votu bashkë me kabinetin qeveritar. Praktikisht, ne po bisedojmë dhe më shumë po bisedojmë sesa po negociojmë për ta mbërritur qëllimin. Qëllimi është të përmbylljet kjo marrëveshje këto ditë, sepse jemi vonë në implementimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Isa Mustafa dhe zyrtarë të tjerë të LDK’së e kanë përmendur ditën e sotme si një afat për arritjen e marrëveshjes me VV’në. A mund të ndodhë sot diçka apo do të pritet java e ardhshme?
Lutfi Haziri: Mendoj se është çështje ditësh. Nuk kemi të bëjmë më me pritje më të mëdha. Kemi të bëjmë më shumë me vlerësime të brendshme. Edhe LDK’ja është me vlerësime të brendshme. Çdo ditë punon dhe angazhohet për këtë zgjidhje. Edhe Vetëvendosja është në konsultimet e saja të brendshme me struktura. Takimet mund të ndodhin në momentin kur liderët vlerësojnë se është harxhuar nevoja e konsultimeve të brendshme dhe ka nevojë të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+, që unë e shoh një mandat më shumë sesa ky që po punojmë tash me një mirëbesim, sepse mirëbesimi duhet të ndërtohet dhe të ruhet gjatë qeverisjes. Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV’në udhëheqëse të Qeverisë e LDK’në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re.

Express: Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur një fushatë të Vetëvendosjes ndaj jush se jeni të afërt me PDK’në dhe s’doni koalicion me Albin Kurtin. Pas zgjedhjeve, kjo fushatë është drejtuar kah Agim Veliu si pengues i koalicionit. Cila është përgjigja juaj?
Lutfi Haziri: Duhet të besojë secili se unë dhe Agim Veliu apo Kujtim Shala, Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani, që janë të angazhuar në realizimin e marrëveshjes, ne përfaqësojmë me mandat interesin e LDK’së, që e udhëheq Kryetari Isa Mustafa. Ne jemi të afërt me partitë e tjera sa jemi të afërt më Vetëvendosjen. Por, e kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së. Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë. Ne rivalët nuk i urrejmë, por i respektojmë. Deri më 6 tetor, rivali më i madh politik ka qenë dhe mbetet Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën po punojmë për ndërtimin e mirëbesimit për një qeverisje të përbashkët. Ky rivalitet duhet të kthehet në mirëbesim. Ndërsa, karshi opozitës së re, PDK, AAK dhe NISMA, do të tregojmë respekt. Por, nuk do të lejojmë që LDK’në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK’ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët. Ne u krijojmë hapësirë në dhomën tonë politike rivalëve për aq sa e meritojnë dhe për aq sa e respektojnë LDK’në, historinë dhe rolin e saj dhe duke e vlerësuar angazhimin politik të LDK’së. Fundja, ne jemi dy parti të ndryshme politike edhe ideologjikisht. Ajo që na bashkon është Republika e Kosovës, e themeluar dhe e ndërtuar falë sakrificës qytetare dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve. Duke mos e harruar asnjëherë rolin e madh të SHBA’së dhe shteteve mike të BE’së, si Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe shumë shtete tjera… Kjo republikë duhet të shërohet nga sëmundja e pasluftës dhe ajo luftë e pasluftës po rrezikon që të bëhet e pashërueshme, nëse LDK’ja nuk e ka një rol aktiv të balancuar dhe të drejtë në institucionet kushtetuese. Më 6 tetor ka fituar blloku opozitar, Vetëvendosja me një mandat më shumë, me një përqindje të vogël dhe ne e kemi respektuar dhe kemi thënë se partia e parë e udhëheq Qeverinë. Do të jetë e pariparueshme nëse z. Kurti s’e merr pozitën e Kryeministrit për rrethana sekondare që dalin në këtë proces politik.

Express: Ka pasur zëra se LDK’ja dhe Vetëvendosja, kur po flasin për marrëveshjen aktuale, po mendojnë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe për ato nacionale për të krijuar epërsi ndaj njëra-tjetrës. A ka diçka të vërtetë këtu?
Lutfi Haziri: Nuk e shoh në atë rrafsh. Natyrisht, ne do të mbesim garues në zgjedhjet tjera. Por, ky mirëbesim që mund të kthehet nga rivaliteti i deridjeshëm në një qeverisje të suksesshme, funksionale dhe rezultative mund të krijojë kushtet që LDK’ja dhe VV’ja të krijojnë partneritete afatgjate për koalicionet parazgjedhore edhe në nivele lokale dhe në nivele qendrore. Krejt varet nga koalicioni që do të lindë këto ditë, sepse si i tillë në parim ka ndodhur, sepse po bisedohet vetëm për ndarjet e fundit kushtetuese. Dy rivalë historikë mund të përkthehen në partnerë historikë. Mund ta marrin përgjegjësinë e madhe, nëse arrihet me u pa drejt edhe nga kolegët tanë në VV një rrugëtim i përbashkët në interes të republikës për realizimin sfidave që na presin në raport me vendet e rajonit dhe të BE’së. Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë.

Express: Pyetja e fundit: Ku u mbajt takimi saktësisht mes Kurtit dhe Mustafës dhe në cilën ditë do të arrihet marrëveshja?
Lutfi Haziri: Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor. Në dy ekipet është biseduar detajisht për çdo pjesë të realizimit të kësaj marrëveshjeje. Ne e kemi arsyetu dhe mbështet qëndrimin tonë në funksion të implementimit të programit qeverisës të agjendës shtetërore dhe kombëtare nesër që ndarja e drejtë dhe parimore e pushtetit do ta ndihmojë z. Kurti në zbatimin e programit qeverisës më shumë se kampet e partive politike. Ne jemi të interesuar që rolin tonë ta fuqizojmë në agjendë shtetërore sesa në agjenda politike e partiake. Zaten, ky mision historik i LDK’së po mbetet prej vitit 2000, prej zgjedhjeve të para lokale, prej zgjedhjeve të para parlamentare, duke e ofruar rolin tonë politik në interes të agjendës shtetërore.

COMMENTS

WORDPRESS: 0